
Shumë iranianë besojnë se lufta me Shtetet e Bashkuara lidhet në thelb me kontrollin e naftës dhe ndryshimin e ekuilibrit rajonal të pushtetit. Kështu u shpreh analisti politik Foad Izadi nga Fakulteti i Studimeve Botërore në Universitetin e Teheranit, në një intervistë për Al Jazeera.
Sipas tij, deklaratat e senatorit amerikan Lindsey Graham kanë përforcuar dyshimet e hershme në Iran.
“I jam mirënjohës senatorit Lindsey Graham që tha se ai (Donald Trump) e do naftën tonë. Kjo është ajo që iranianët kanë thënë dhe besuar prej shumë vitesh,” u shpreh Izadi.
Ai argumentoi se strategjia e Uashingtonit pasqyron politikat e vjetra imperiale, duke thënë se SHBA-ja do të dominojnë Gjirin në të njëjtën mënyrë siç bëri dikur Britania.
“Ata duan të kthehen në shekullin e 19-të… dhe të sundojnë Gjirin Persik siç bënë britanikët në shekullin e 19-të”, tha ai.
Izadi iu referua gjithashtu deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, sipas të cilave kufijtë e Iranit mund të ndryshojnë pas luftës.
“Ideja që kanë shumë iranianë këtu është se ai dëshiron të shkatërrojë pjesën jugore të Iranit të pasur me naftë, ta shpërbëjë Iranin, në thelb, ta ballkanizojë Iranin”, tha Izadi, duke shtuar se një plan i tillë do t’i lejonte Uashingtonit të krijonte një shtet të ri në Iranin jugor dhe ta përdorte atë për të kontrolluar burimet e naftës, duke rritur presionin mbi Kinën dhe duke zgjeruar ndikimin izraelit në rajon. (A2 Televizion)