Anulohet vendimi i Obran, Hungaria voton pro qëndrimit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Nga A2 CNN
27 Maj 2026, 15:24 | Bota

Anulohet vendimi i Obran, Hungaria voton pro qëndrimit në

Hungaria vendosi që vendi të mbetet anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke përmbysur kështu një vendim të marrë nga qeveria e mëparshme e Viktor Orbán. Votimi i së mërkurës erdhi vetëm pak ditë përpara se vendi të bëhej i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europian që nuk do të njihte juridiksionin e kësaj gjykate, e cila synon të ndjekë penalisht të akuzuarit për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Në prill të vitit të kaluar, Orbán deklaroi se Hungaria do të niste procesin e tërheqjes nga ajo që ai e cilësoi si një “gjykatë politike”, shkruan A2 CNN. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Budapest të aleatit të tij të hershëm, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit GJNP ka lëshuar një urdhër-arresti.

Megjithatë, pas fitores së thellë në zgjedhjet e muajit të kaluar, kryeministri i ri Péter Magyar u zotua vazhdimisht se qeveria e tij do ta anulonte tërheqjen përpara se ajo të hynte në fuqi më 2 qershor. Të hënën, qeveria e Magyar dorëzoi projektligjin në Parlament, duke ndjekur një procedurë të përshpejtuar. Ligji mori 133 vota pro, nga 199 deputetë. Tani, ai duhet të nënshkruhet nga presidenti Tamás Sulyok, një zyrtar i emëruar në epokën e Orbán, të cilit Magyar i ka kërkuar vazhdimisht dorëheqjen.

Ky ndryshim i kursit vjen si një moment pozitiv për institucionin e përfshirë nga vështirësitë. Që nga rikthimi i Donald Trump në pushtet në SHBA vitin e kaluar, administrata e tij ka punuar vazhdimisht për të penguar gjykatën me seli në Hagë, duke vendosur sanksione ndaj 11 zyrtarëve të saj. Për javë të tëra, Magyar e kishte bërë të qartë se partia e tij “Tisza” do të siguronte që Hungaria, si një anëtare themeluese e traktatit të GJNP-së, të mos rreshtohej përkrah vendeve si Kina, Izraeli, Rusia dhe SHBA-ja, të cilat refuzojnë të njohin juridiksionin e kësaj gjykate. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos