Miliona myslimanë rreth botës u bashkuan në lutje këtë të mërkurë, teksa shënuan Kurban Bajramin, e njohur ndryshe si festa e sakrificës. Ai nderon përkushtimin e Profetit Ibrahim ndaj Zotit dhe gatishmërinë e tij për të sakrifikuar të birin si një akt bindjeje.
Palestinezët në Gaza e kremtuan këtë ditë mes rrënojave dhe sulmeve, teksa u lutën për ditë më të mira. Shumë prej tyre iu drejtuan varrezave për të përshëndetur të dashurit e vrarë, ndërsa të tjerë iu bashkuan faljes së mëngjesit e më pas edhe ritualit të sakrifikimit të një kafshe, shkruan A2 CNN. 900 palestinezë janë vrarë që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit në muajin tetor.
“Pavarësisht vrasjeve, shkatërrimit, zhvendosjes dhe plagës së madhe që po përjeton populli ynë, ai këmbëngul të rikthejë jetën, këmbëngul te gëzimi pavarësisht dhimbjes. Është një mesazh për pushtuesit se gjithçka që ai bën, nga vrasjet, shkatërrimi dhe dëmet, do të jetë e kotë përballë qëndrueshmërisë së madhe të këtij populli.”
Në Liban, po ashtu, qytetarët u lutën që Bajrami i vitit të ardhshëm t'i gjejë në kushte më të mira, teksa përballen me shkatërrim, shpërngulje masive dhe viktima si pasojë e luftës izraelite. Në Jeruzalem, Siri, Egjipt, Libi dhe Irak, qytetarët zhvilluan lutjet e mëngjesit dhe më vonë u mblodhën me familjarë dhe miq rreth xhamive, duke shpërndarë edhe ëmbëlsira.
Pelegrinët myslimanë qëlluan me gurë shtyllat e gurit në Mina të Arabisë Saudite, si pjesë e ritualit që simbolizon goditjen e djallit. Zakoni, i njohur si Xhamarat, shënon ditën e parë të Kurban Bajramit, teksa 1.5 milionë myslimanë thuhet të jenë mbledhur në Mekë për pelegrinazhin e Haxhit, shtylla e pestë e besimit Islam. Të veshur kryesisht me të bardha, besimtarët performuan të ashtuquajturin “tavaf”, duke ecur 7 herë rreth Qabesë, kubit të zi në Xhaminë e Madhe të Mekës. (A2 Televizion)