Dronët ushtarakë që po hyjnë në hapësirën ajrore të Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë po shtojnë shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të përhapet edhe në kufijtë veriorë të NATO-s me Rusinë. Ndërsa Ukraina po intensifikon sulmet me rreze të gjatë ndaj porteve ruse të transportit të naftës në Detin Baltik, disa nga dronët kanë humbur objektivat e tyre dhe kanë shkaktuar alarme sigurie e konfuzion mes shteteve anëtare, në një kohë kur angazhimet e SHBA-së ndaj mbrojtjes kolektive janë vënë në dyshim.
Në shumicën e rasteve, Kievi dhe vendet baltike kanë konfirmuar se dronët ishin ukrainas, por kanë fajësuar Rusinë se po i devijon nga trajektorja përmes mbrojtjeve elektronike që bllokojnë ose manipulojnë sinjalet. Këto pajisje përdoren gjerësisht si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina për të prishur navigimin e dronëve dhe raketave armike.
Nga ana tjetër, Rusia ka pretenduar se shtetet baltike po bashkëpunojnë me Ukrainën duke e lejuar të përdorë hapësirën e tyre ajrore për të organizuar sulme ndaj objektivave ruse. Përballë kërcënimeve në rritje, Letonia njoftoi se po shton mbrojtjen antidron në kufijtë e vet me Rusinë dhe Bjellorusinë, sipas një zyrtari të lartë ushtarak.
“Ne planifikojmë të vendosim ekipe interceptuese brenda javëve të ardhshme, dhe gjithashtu planifikojmë të demonstrojmë publikisht disa armë të ndryshme mbi të cilat po punojmë aktualisht, si sisteme automatike qitjeje. Duhet ta rrisim këtë numër jo vetëm në Letoni, por edhe në vende të tjera. Duhet t’i shtojmë këto ekipe me armatim klasik, dronë interceptues dhe mjete të tjera...”, tha Modris Kairiss, ushtarak në Letoni.
Dy dronë që kishin humbur drejtimin shpërthyen në një depo të zbrazët nafte në Letoni më 7 maj. Një tjetër shpërtheu në një liqen të shtunën, pasi kishte hyrë në vend pa u diktuar. Më 20 maj, afrimi i një droni detyroi ligjvënësit në kryeqytetin lituanez, Vilnius, të strehoheshin në bunkerë nëntokësorë, ndërsa më 19 maj një avion ushtarak i NATO-s rrëzoi një tjetër dron mbi Estoni. (A2 Televizion)