Presioni është në rritje ndaj presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën që të përdorë armët e dërguara nga Perëndimi për të sulmuar brenda territorit rus. Në fillim të kësaj jave, shumë nga aleatët e SHBA-së dhanë “OK” për këtë mundësi, e cila mori hov pas rritjes së shqetësimeve për një përshkallëzim të luftës.
Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se qëndrimi i Uashingtonit për këtë çështje do të rregullohet dhe përshtatet bazuar në ndryshimin e kushteve në fushën e betejës.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha të mërkurën se ndërsa mbështetja e SHBA për Kievin ka evoluar, "në këtë kohë nuk ka asnjë ndryshim në politikën amerikane".
Deklarata e Blinken, bërë gjatë një udhëtimi në Evropë, pasoi komentet më të menjëhershme të bëra në fillim të kësaj jave nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha se Ukrainës duhet ti "lejohet" të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi kundër instalimeve ushtarake në tokën ruse edhe pse rreptësisht jo kundër objektivat civile.
SHBA-të deri më tani e kanë furnizuar Ukrainën me mijëra armë mbrojtëse dhe tanke, por aktualisht Ukraina nuk mund të përdorë armë që vijnë nga vende të tjera perëndimore, të cilat imponojnë kufizimet në përdorimin e tyre. Deri më tani, Ukraina ka përdorur dronë për të sulmuar objektivat e vendosura më tej në territorin rus.
Deri më tani, disa liderë perëndimorë, si presidenti francez Emmanuel Macron, kanë mbrojtur tezën e përdorimit të armëve perëndimore për të sulmuar tokën ruse, por ka edhe nga ata që janë të kujdesshëm, si kancelari gjerman Olaf Scholz dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, e cila nuk e sheh nevojën për të goditur bazat ushtarake ruse dhe i ka kërkuar Perëndimit që në vend të saj të furnizojë Ukrainën me më shumë mbrojtje ajrore.
Në të njëjtën kohë, mundësia që ukrainasit të përdorin F-16-të që u janë dhënë për të goditur objektiva edhe në territorin rus, ofrohet nga danezët, siç specifikoi sot ministri i Jashtëm danez, Lars Loke Rasmussen.
“Përgjigja e shkurtër është po (në lidhje me mundësinë e sulmeve me F-16 në tokën ruse). Ky nuk është një pozicion i ri, është pjesë e kontributit tonë në përpjekjet e Kievit. Kur e diskutuam këtë me Komisionin e Punëve të Jashtme në Parlamentin Danez, e bëmë shumë të qartë që në fillim se kjo është pjesë e vetëmbrojtjes, e cila ndoshta do të përfshijë edhe sulme ndaj instalimeve ushtarake në territorin rus”, vuri në dukje ministri danez.
Vihet re se Danimarka, e cila është një nga nismëtarët e të ashtuquajturit koalicion ajror për Ukrainën, planifikon të dërgojë F-16 në Kiev tashmë këtë verë. Holanda do të dorëzojë avionë të tillë në Ukrainë më vonë gjatë vjeshtës.
Ukraina po përpiqet të përballet me një ofensivë ruse në lindje të vendit, ndërsa qyteti i Kharkiv ka pësuar javë të tëra sulmesh vdekjeprurëse, të nisura shpesh nga Rusia nga postat ushtarake pranë kufirit ukrainas. Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë në të kaluarën se është "e padrejtë" për vendet perëndimore të vendosin kufizime në përdorimin e armëve të tyre, por pranoi se Ukraina nuk mund të rrezikojë mbështetjen e partnerëve të saj.
Megjithatë, Rusia reagon fuqishëm ndaj perspektivës që armët perëndimore të përdoren kundër objektivave në tokën ruse. "Në Evropë, veçanërisht në vendet e vogla, ata duhet të dinë se me çfarë po luajnë", tha Vladimir Putin.
Udhëheqësi rus shtoi se përgjegjësia për çdo sulm brenda vendit të tij do të mbahej nga furnizuesit perëndimorë të armëve, edhe nëse do të jenë forcat ukrainase që kryejnë sulmet. (A2 Televizion)