Vetëm në moshën 31-vjeçare, Samuel Umtiti ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli profesionist.
Ish-mbrojtësi i Francës dhe Barcelonës e mori vendimin pas shumë problemeve që pati me gjurin vitet e fundit, shkruan A2.
Ekipi i fundit ku luajti Umtiti ishte Lille, kontrata me të cilin skadoi në qershorin e këtij viti.
“Kam pasur një karrierë intensive, me ulje-ngritje. Kam dhënë gjithçka me pasion dhe nuk kam asnjë keqardhje”, shkruan ish-futbollisti në Instagram.
Umtiti ishte titullar në ekipin e Francës që fitoi Botërorin e vitit 2018. Në qendër të mbrojtjes, bashkë me Raphael Varane, ai ishte një nga shtyllat e skuadrës, duke shënuar edhe golin vendimtar në gjysmëfinalen ndaj Belgjikës.
Trajneri i Francës Didier Deschamps tha: “Sam luajti një rol të rëndësishëm në fitimin e Kupës së Botës. Të gjithë do ta kujtojnë golin e tij kundër Belgjikës, por dua të theksoj gjithashtu solidaritetin dhe guximin me të cilin luajti, pavarësisht dhimbjeve të gjurit. Ai meritonte një mbyllje karriere ndryshe, por mund të jetë krenar për gjithçka që ka arritur”.
(A2 Televizion)