Vijon të shkelet armëpushimi në Gaza, teksa 11 persona u vranë në sulme izraelite mëngjesin e së dielës.
IDF thotë se kishte goditur objektivë terroristë në kundërpërgjigje të shkeljes së armëpuhsimit nga Hamas, dhe se militantët ishin vrarë duke dale nga një tunel në një zonë të kontrolluar nga ushtria izraelite. Gjysmëhëna e Kuqe bëri të ditur se një sulm ajror ndaj një kampi të përkohshëm ku strehohen dhjetëra familje të shpërngulura në veri të Gazës, vrau të paktën 6 persona ndërsa një tjetër sulm në jug të Rripit u mori jetën 5 të tjerëve.
Siç thuhet, sulmet ajrore shënjestruan edhe atë që mendohet të jetë komandanti i grupit të Islamit Xhihadist, aleat i Hamasit.
Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi akuzuan njëri-tjetrin për shkeljet gati të përditshme të marrëveshjes së brishtë të armëpushimit, që kur ajo hyri në fuqi më 10 tetor. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se të paktën 600 persona kanë mbetur të vrarë që kur pushimi i luftimeve hyri në fuqi.
Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, akuzoi Izraelin se ka kryer një masakër të re kundër palestinezëve të shpërngulur, duke e cilësuar këtë një shkelje serioze të armëpushimit në prag të takimit të parë të Bordit të Paqes së Donald Trump.
Takimi, që do të mbahet në Uashingon më 19 shkurt, synon krijimin e një force ndërkombëtare që do të garantojë sigurinë në zonat kufitare të Gazës, mbikqyrjen e çarmatosjes së Hamasit dhe formimin e një qeverie të re teknike palestineze.
Javën e kaluar u njoftua se Indonezia, pjesë e Bordit të Paqes, do të dërgojë 8 mijë ushtarë si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. (A2 Televizion)