
Një anije e ngarkuar me karburant është bllokuar në Portin e Durrësit, pasi gjatë një kontrolli fizik nga shërbimet doganore janë konstatuar rreth 16.8 tonë karburant që dyshohet se nuk ishte deklaruar.
Kontrolli u ushtrua nga shërbimet e Degës Doganore Durrës, pas informacioneve operative për mospërputhje mes sasisë së deklaruar dhe asaj që ndodhej në anije.
Gjatë verifikimeve, punonjësit e doganës evidentuan rreth 16.8 tonë karburant të dyshuar si të padeklaruar dhe të nxjerrë kontrabandë nga anija.
Për rastin u hartua procesverbali i konstatimit fizik dhe u vendos bllokimi i anijes, ndërsa do të vijojnë procedurat e mëtejshme verifikuese dhe ligjore.
Dega Doganore Durrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit. (A2 Televizion)