“Armëpushimi është poshtërim!” Netanyahu midis presionit të SHBA dhe aleatëve në qeverisje

Nga Erjon Dervishi
29 Prill 2024, 16:28 | Bota

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ndodhet nën një presion të madh për sa i përket planit për të filluar ofensivën tokësore në Rafah. Krahu ekstremist i kabinetit të drejtuar nga Bezalel Smotrich, kërkon nga Netanyahu një fillim sa më të shpejt të ofensivës, në të kundërt sipas tyre, qeveria e Netanyahut nuk ka pse të ekzistojë.

“Një armëpushim do të ishte një humbje poshtëruese. Nëse nuk arrin të zhdukë Hamasin, një qeveri e kryesuar nga ju nuk do të ketë të drejtë të ekzistojë".

Deklarata e Smotrich u mbështet edhe nga ministri i rendit Itamar Ben-Gvir, i cili ripostoi në X një koment të 30 janarit të bërë gjatë një raundi të mëparshëm bisedimesh për armëpushim me Hamasitn: Një marrëveshje e papërgjegjshme është baras me shpërbërjen e qeverisë".

Zyra e Netanyahut dhe partia e tij konservatore Likud nuk kanë dhënë një përgjigje ndaj deklaratave të ministrave. Sakaq, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për zhvillimin e një bisede të tensionuar midis Presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu në të cilën i kërkon përgatitjen sa më shpejt të një plan humanitar për banorët e Gazës.

Telefonata zgjati më pak se një orë dhe dy liderët ranë dakord që barra e përgjegjësisë t’i mbetet Hamasit për të pranuar ofertën e fundit për negociata, citon Assosieted Press.

Ndërkohë Sekretari Amerikan i shtetit, Anthony Blinken ndodhet në Lindjen e Mesme për të intesifikuar bisedimet për paqe. Nga Arabia Saudite, Blinken i bëri thirrje Netanyahut për të mos filluar operacionin në Rafah dhe se fillimisht duhet siguruar plani që të mos dëmtohet asnjë civil.

“Ne kemi thënë qartë dhe prej disa kohësh, se në mungesë të një plani për të siguruar që civilët nuk do të dëmtohen, ne nuk mund të mbështesim një ushtri apo operacion të madh ushtarak në Rafah dhe ne nuk kemi parë ende një plan që na jep besim se civilët mund të mbrohen në mënyrë efektive".

Janë rreth 130 pengje izraelite në Gaza. Një video e publikuar nga Hamasi, e cila tregonte një nga pengjet amerikano-izraelite, nxiti protesta spontane rreth rezidencës së Netanyahut në Jerusalem. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos