“Armëpushimi, i pakuptimtë”, Hezbollahu dhe Izraeli shkëmbejnë zjarr, viktima e dëme në Liban

Nga Rosalba Bejdo
25 Prill 2026, 18:06 | Bota

Hezbollahu e cilësoi si të pakuptimtë armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në luftën me Izraelin, teksa autoritetet libaneze raportuan se dy persona ishin vrarë në sulmet izraelite, ndërsa Hezbollahu rrëzoi një dron të Tel Avivit. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi zgjatjen e armëpushimit me tre javë të enjten, pasi priti në Shtëpinë e Bardhë ambasadorët izraelit dhe libanezë.

Marrëveshja për pushim të luftimeve mes dy vendeve duhet të skadonte të dielën. Por edhe pse armiqësitë janë reduktuar ndjeshëm, Izraeli dhe Hezbollahu i mbështetur nga Irani kanë vijuar të shkëmbejnë zjarr në jug të Libanit, ku Tel Avivi ka vendosur ushtarët në atë që e ka shpallur zonë tampon.

Imazhet e fundit nga Libani tregojnë kolona të mëdha tymi teksa ngrihen në ajër, pranë kufirit me Izraelin, pas një shpërthimi të fortë. Më herët ushtria izraelite raportoi se kishte goditur raketahedhës të Hezbollahut gjatë natës, në 3 zona në jug të Libanit. Ndërkohë Hezbollahu pohoi në një deklaratë këtë mëngjes se kishte goditur ushtrinë izraelite.

Një përfaqësues i grupit militant të Hezbollah, që nuk është pjesë e marrëveshjes me Izraelin për pushim të luftimeve, deklaroi se në vazhdën e akteve armiqësore të Izraelit përfshirë bombardime e shkatërrime të fshatrave të tërë, armëpushimi ishte i pakuptimtë.

“Çdo sulm izraelit i jep rezistencën të drejtën të reagojë në mënyrë proporcionale”, ishte deklarata e tij. Gati 2500 persona janë vrarë në Liban që prej 2 marsit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos