Armëpushimi zgjatet me një ditë, 3 të vrarë në Jerusalem, Izraeli: Hamasit i flasim vetëm me armë

Nga Rosalba Bejdo
30 Nëntor 2023, 15:49 | Bota

Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje të minutës së fundit të enjten, për të zgjatur armëpushimin për një ditë të 7-të. Uashingtoni shpreson se do të ketë dakordësi për zgjatje të mëtejshme të pauzës në luftime për të lejuar lirimin e më shumë pengjeve dhe hyrjen e ndihmave të mëtejshme në Gaza.

Ujdia e njoftuar në orët e para të së enjtes, pak para se armëpushimi të skadonte, bëri që gaza e copëtuar nga lufta, të zgjohej në një tjetër mëngjes të qetë për të 7 ditë radhazi edhe pse një sulm vdekjeprurës me armë zjarri në Jerusalem ishte një kujtesë e fuqishme për rrezikun e përhapjes së dhunës.

Tre persona u vranë dhe 6 të tjerë u plagosën në Jerusalem pasi dy agresorë hapën zjarr në një stacion autobusi.. Ngjarja ndodhi dy ditë pasi dy djem palestinezë, 8 dhe 14 vjeçare u qëlluan dhe u vranë gjatë bastisje të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor.

“Kjo ngjarje na provon edhe një herë se nuk duhet të tregojmë dobësi, se duhet t’i flasim Hamasit vetëm përmes armëve, përmes luftës. Kjo ngjarje tregon se sa e rëndësishme është të shpërndajmë armë kudo, pavarësisht kritikave”, u shpreh Itamar Ben Gvir Ministër për Sigurinë Kombëtare.

Hamasi liroi 16pengje të tjera të mërkurën në këmbim të 30 të burgosurve palestinezë që lanë burgjet izraelite. Edhe grupi militant, konfirmoi pas ushtrisë izraelite se armëpushimi do të vijojë për një ditë të 7. Sekretari amerikan i shtetit I cili vizitoi Izraelin pas një qëndrimi të shkurtër në Maqedoni tha se përpjekjet po vijojnë për zgjatjen e pauzës. 

Deri më tani militantët kanë liruar 97 pengje, 70 gra dhe fëmijë izraelitë plus, 27 të huaj. Për secilin peng Izraeli janë liruar 3 të burgosur palestinezë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos