Fillimi i luftës mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit rrezikon të çojë në kolaps tërë rajonin e Lindjes së Mesme. Presidenti Donald Trump tha se do t'i jepte fund një kërcënimi sigurie për Shtetet e Bashkuara dhe do t'u ofronte iranianëve një shans për të rrëzuar sundimtarët e tyre. Por analistët besojnë se Trump nuk ka mundur të llogarisë terrenin e vështirë Iranin dhe raketat balisitike që ai zotëron.
Një raketë balistike është një armë me raketa që drejtohet gjatë ngritjes së saj, por ndjek një trajektore rënieje të lirë për pjesën më të madhe të fluturimit të saj. Ajo transporton koka luftarake - që përmbajnë ose eksplozivë konvencionalë ose municione potencialisht biologjike, kimike ose bërthamore - në distanca të ndryshme.
Fuqitë perëndimore e konsiderojnë arsenalin e raketave balistike të Iranit si një kërcënim ushtarak konvencional për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe një mekanizëm të mundshëm shpërndarjeje për armë bërthamore, nëse Teherani i zhvillon ato. Irani mohon çdo qëllim për të ndërtuar bomba atomike.
Irani ka rezervat më të mëdha të raketave balistike në Lindjen e Mesme, sipas Zyrës Amerikane të Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Ato kanë një rreze veprimi të vetë-imponuar prej 2,000 km, të cilën zyrtarët iranianë kanë thënë se është e mjaftueshme për të mbrojtur vendin pasi ato mund të arrijnë Izraelin. Shumë nga vendet e raketave të Iranit janë në dhe përreth Teheranit. Ka të paktën pesë "qytete raketash" të njohura nëntokësore në provinca të ndryshme, duke përfshirë Kermanshah dhe Semnan, si dhe pranë rajonit të Gjirit.
Arsenali përfshin raketa të shumta me rreze të gjatë veprimi që mund të arrijnë Izraelin, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Ajo thotë se këto përfshijnë Sejil, me një rreze veprimi prej 2,000 km; Emad, 1,700 km; Ghadr, 2,000 km; Shahab-3, 1,300 km; Khorramshahr, 2,000 km; dhe Hoveyzeh 1,350 km.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve ISNA publikoi një grafik në prill 2025 që tregonte nëntë raketa iraniane që, sipas saj, mund të arrinin Izraelin, përfshirë Sejil-in, për të cilën ISNA tha se ishte e aftë të fluturonte me më shumë se 17,000 km në orë dhe kishte një rreze veprimi prej 2,500 km; Kheibar-in, me një rreze veprimi prej 2,000 km; dhe Haj Qasem-in, 1,400 km. Gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor 2025, Teherani qëlloi raketa balistike në Izrael, duke vrarë dhjetëra njerëz dhe duke shkatërruar ndërtesa. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) dhe Projekti i Kërcënimeve Kritike AEI thanë se Izraeli "ka të ngjarë të ketë shkatërruar rreth një të tretën e lëshuesve të raketave iraniane" gjatë konfliktit.
Zyrtarët iranianë kanë thënë se Teherani është rikuperuar nga dëmet e shkaktuara gjatë luftës. Irani është gjithashtu një qendër e madhe për përhapjen e armëve, duke furnizuar grupe partnere si Hezbollahu apo edhe regjimin e dikurshëm të Bashar al-Asad në Siri me një furnizim të qëndrueshëm të raketave si dhe me kapacitet prodhimi vendas.
Që nga viti 2015, Irani u ka siguruar rebelëve Huthi të Jemenit raketa balistike dhe lundruese gjithnjë e më të përparuara, si dhe mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi. Kohët e fundit, Irani ka pajisur grupet e milicisë shiite në Irak me raketa dhe predha të tjera të vogla për përdorim kundër objekteve ushtarake dhe diplomatike irakiane dhe amerikane. (A2 Televizion)