“Ata do të heqin dorë nga negociatat”, BE dhe Ukraina frikësohen nga largimi i Trump

Nga Erjon Dervishi
29 Prill 2025, 14:13 | Bota

“Ata do të heqin dorë nga negociatat”, BE dhe Ukraina

Europa dhe Ukraina janë tepër të shqetësuar se Donald Trump mund të heqë dorë nga përpjekjet për arritjen e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. Burime diplomatike për prestigjiozen Financial Times bëjnë me dije se Donald Trump pritet të përdorë si justifikim përparimin tepër të vogël në bisedime mes palëve ndërluftuese.

Mosgatishmëria e Putinit për të rënë dakord me kërkesat kryesore të SHBA-së dhe Ukrainës, të tilla si mbajtja e një force ushtarake ukrainase të pasluftës, dhe kompleksiteti i konfliktit e kanë bërë Trumpin të rivlerësojë angazhimin e tij për një marrëveshje paqeje, theksojnë zyrtarë të lartë europian për FT. 

“Ka njerëz që mendojnë se rusët mund të pajtohen” me propozimin e Trump, tha një tjetër burim për FT, duke shtuar se problemi ishte se nuk kishte “asgjë në vend për ta bërë këtë të funksionojë”. “Disa nga elementët janë në të vërtetë të mirë, por është padurimi për ta bërë tani që është problemi.”

Ndërkohë disa zyrtarë ukrainas i thanë FT se mundësia që Trump të largohet nga tryeza e bisedimeve është tepër serioze.

Kievi ka filluar në heshtje përgatitjet për të vepruar i vetëm në pritje të një tërheqjeje të SHBA-së, duke rritur prodhimin vendas të armëve dhe duke intensifikuar bisedimet me aleatët evropianë rreth ndihmës në të ardhmen.

“Gjëja më e keqe që mund të ndodhë në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë është kur Trump të humbasë çdo interes në Ukrainë”, tha ai, gjë që shtoi se “mund të perceptohet nga Putini si një leje e heshtur nga SHBA-ja për të përshkallëzuar luftën”.

Presidenti rus ofroi të hënën një armëpushim tre-ditor gjatë festës së 8-10 majit, kur Rusia feston fitoren sovjetike në Luftën e Dytë Botërore, por ai nuk ka arritur të mbajë premtimet e tij të mëparshme për të ndaluar armiqësitë gjatë Pashkëve dhe për infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Presidenti i SHBA-së u zgjodh me premtimin për t’i dhënë fund luftës brenda “24 orësh”, por ofertat e tij ndaj Vladimir Putinit të Rusisë dhe përpjekjet për të ushtruar presion mbi udhëheqjen ukrainase nuk kanë arritur të fitojnë mbështetje për propozimin e tij fillestar për një armëpushim 30-ditor, e lëre më për një armëpushim të qëndrueshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos