Amerika do të shkatërrojë grupet e huaja kriminale. Këtë e njoftoi sekretari i shtetit, Marco Rubio, që shtoi se kjo mund të bëhet në bashkëpunim me shtetet e tjera, pra në formën e një koalicioni.
“Ata do të na ndihmojnë ne që t’i zbulojmë këta njerëz dhe t’i hedhim në erë, nëse do të jetë e nevojshme”, u shpreh kryediplomati i Shteteve të Bashkuara gjatë një vizite në Ekuador. Rubio bëri dhe një njoftim të rëndësishëm në ndihmë të Kuitos për të çuar përpara luftën ndaj bandave në bllokun latin.
“Ne shpallim Lobos dhe Choneros grupe terroriste. Kjo na sjell një sërë opsionesh që mund t’i zbatojmë sipas ligjeve tona. Mund të njoftoj gjithashtu se po lëvrojmë 13.5 milionë dollarë nga Departamenti i Shtetit për të luftuar trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Mbi të gjitha ne po punojmë për të dhënë 6 milionë dollarë për dronë”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio.
Deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit erdhi pasi ushtria e SHBA-ve zhvilloi një sulm milimetrik ndaj një anije në detin e Karaibeve. Shtëpia e Bardhë tha se në atë operacion vrau 11 trafikantë droge, por nuk ka bërë të ditur idenditetin e tyre. Presidenti Donald Trump konfirmoi se përmes sulmit u shënjestrua banda Tren de Aragua nga Venezuela, ndërsa po transportonin drogë për në SHBA.
“Në rastin e Venezuelës, nuk mund të bashkëpunojë me ne pasi ai shtet është pjesë e terrorizmit. Nicola Madura nuk është një qeveria, as regjim politik. Ai është një organizatë terroriste e krimit të organizuar që ka pushtuar territorin e vendit dhe po e përdor për tu pasuaruar. Prandaj është i akuzuar në gjykatat amerikane”, tha Rubio, shkruan A2 CNN.
Përballë këtyre zhvillimeve nuk kanë munguar provokimet mes palëve. Departamenti amerikan i mbrojtjes, akuzoi dy avionë të venezuelës se kanë fluturuar shumë afër një anije të Shteteve të Bashkuara në një “mënyrë shumë provokuese me qëllim për të ndërhyrë në operacionet kundër narko-terrorit” të Uashingtonit. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, rreth 70 për qind e kokainës që qarkullon në botë kalon përmes Ekuadorit në transit nga vende fqinje që e prodhojnë atë si Kolumbia dhe Peruja, ndërsa futet në tregje si SHBA, Europa dhe Azia. (A2 Televizion)