Ashtu si edhe një ditë më parë pedagogët u mblodhën mëngjesin e sotëm para korpusit të Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku kanë nisur marshimin drejt Kuvendit të Shqipërisë, për t’iu bashkuar protestuesve.
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, profesor Sandër Kovaçi, u bëri thirrje pedagogëve që të marrin pjesë në protestën para Kuvendit, ku po zhvillohet seanca parlamentare, duke e zhvendosur kështu marshimin nga Kryeministria drejt Parlamentit.
Kovaçi dënoi dhunën e ushtruar ndaj studentëve, nxënësve dhe qytetarëve, duke theksuar se dhuna nuk ofron zgjidhje. Para universitetit janë vendosur postera që paraqesin pamje të dhunës policore ndaj protestuesve.
“Jemi kundër dhunës së policisë ndaj studentëve dhe dhuna nuk ofron zgjidhje. Këto postera tregojnë se çfarë dhune është përdorur ndaj qytetarëve të lirë, ndaj studentëve dhe nxënësve të shkollave. Meqënëse jemi në kushtet kur ka një protestë te parlamenti, unë them që të gjithë të mundshmit të marrin pjesë atje edhe të jenë në ndihmë të studentëve”.
Ai njoftoi gjithashtu se pedagogët do të mblidhen sërish të nesërmen, në orën 10:00, para Universitetit Politeknik, për të vijuar qëndrimin e tyre në mbështetje të studentëve. (A2 Televizion)