
Mbretëria e Bashkuar do të vërë në dispozicion deri në 5 milionë paund për të forcuar luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve të trafikimit të personave në Ballkanin Perëndimor.
Paketa e re e ndihmës u njoftua sot nga Ministri i Shtetit për Evropën i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Wood of Anfield, pak para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Mal të Zi. Financimi synon të mbështesë institucionet e vendeve të rajonit përmes trajnimeve, ekspertizës britanike dhe forcimit të shkëmbimit të informacionit, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe parandalimin e shfrytëzimit të migrantëve.
Ministri i Shtetit për Evropën i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Wood of Anfield, deklaroi se bandat kriminale kanë shfrytëzuar prej kohësh rajonin, duke përfituar nga njerëzit e pambrojtur dhe duke rrezikuar jetët e tyre. Sipas tij financimi i ri do të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe sigurinë e Evropës.
"Bandat kriminale kanë shfrytëzuar Ballkanin Perëndimor për shumë kohë, duke përfituar nga njerëz të pambrojtur dhe duke vënë në rrezik jetë njerëzore. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne po ndalojmë këto rrjete. Por nuk mund të jemi të vetëkënaqur. Me financimin e ri britanik, ne po forcojmë këtë përpjekje për të luftuar trafikantët e personave dhe për të forcuar sigurinë kolektive të Evropës", tha ai.
Sipas njoftimit të shëprndarë për mediat, pajisjet dhe trajnimet e financuara nga Londra kanë ndihmuar autoritetet e Ballkanit Perëndimor të kryejnë më shumë se 100 ndërhyrje ndaj migrantëve që prej qershorit 2026, si dhe të godasin disa banda kriminale.
Ndihma e re do të mbështesë punën e Task-Forcës së Përbashkët të Migracionit (JMTF), një nismë që bashkon specialistë nga vende të ndryshme për të zbuluar, parandaluar dhe ndërprerë aktivitetet e paligjshme të migracionit. Task-forca ka zhvilluar operacione në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave të Frontex-it të cituara në njoftim, vitin e kaluar u regjistruan 12.528 kalime të paligjshme në rrugën e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me 144.197 në vitin 2022.
Qeveria britanike deklaron se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të goditur rrjetet e trafikimit dhe për të penguar organizatorët e migracionit të paligjshëm përpara se të vënë në rrezik më shumë persona.
(A2 Televizion)