Rrugës për në Hagë, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s, Presidenti Donald Trump bëri një tjetër postim në rrjetin social Truth, duke thënë se Izraeli nuk do ta bombardojë më Iranin.
“Izraeli nuk do të sulmojë Iranin. Të gjitha avionët do të kthehen dhe do të nisen për në shtëpi, duke bërë një “përshëndetje” miqësore ndaj Iranit. Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump, raporton A2 CNN.
Më herët Trump shpërtheu në kritika ndaj të dy shteteve, për mosrespektimin e armëpushimit të shpallur prej tij një natë më parë.
“Janë dy shtete që po luftojnë prej kaq shumë kohe dhe aq fort, saqë nuk e dinë se çfarë ***** po bëjnë”, tha Trump për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti theksoi se nuk beson se armëpushimi është prishur përfundimisht. Por tha se është veçanërisht i pakënaqur me Izraelin, që sipas tij e theu menjëherë marrëveshjen. “Izraeli, sapo bëmë marrëveshjen, doli dhe hodhi një breshëri bombash si kurrë më parë, ishte ngarkesa më e madhe që kemi parë ndonjëherë. Ngarkesa më e madhe që kemi parë”. “Nuk jam i kënaqur me Izraelin. E dini, kur unë them, ‘OK, tani keni 12 orë’, nuk është që në orën e parë del dhe hedh gjithçka që ke. Kështu që nuk jam i kënaqur me ta. Nuk jam i kënaqur as me Iranin”, shtoi ai.
Më vonë ai deklaroi se Irani “kurrë” nuk do të jetë në gjendje të rindërtojë programin e tij bërthamor, pas sulmeve ajrore amerikane mbi vendet e tij bërthamore, kur u pyet nëse Irani ka aftësinë të rikuperohet nga sulmet e fundit. “Irani nuk do ta rimarrë kurrë veten. Ai vend është nën gërmadha, është shkatërruar”, pohoi ai.
Trump lavdëroi ushtrinë amerikane, në veçanti pilotët që morën pjesë në operacion, duke thënë: “Pilotët e B-2 e bënë punën e tyre, dhe e bënë më mirë se ç’mund ta kishte imagjinuar kushdo”. Presidenti hodhi sërish poshtë raportimet e disa mediave që sugjeronin se sulmet kishin pasur efekt të kufizuar. (A2 Televizion)