I ndërtuar në shpatin e një mali, rreth 300 metra mbi një luginë të pyllëzuar, manastiri i Sümela-s është një prej monumenteve më spektakolare të trashëgimisë së krishterë në Turqi. Nga themelimi në shekullin IV, te braktisja dhe restaurimi, ai mbart një histori të trazuar që ndërthur besimin, perandoritë dhe legjendat.
I vendosur në një faqe shkëmbore në malet Pontike, në verilindje të Turqisë, manastiri i Sümela-s duket sikur sfidon ligjet e gravitetit. Kompleksi historik, i cili ngrihet rreth 300 metra mbi një luginë të gjelbëruar, përbën një nga atraksionet më të veçanta turistike dhe fetare të rajonit të Detit të Zi.

Historia e tij nis në shekullin IV pas Krishtit, kur, sipas traditës, dy murgj grekë, Barnaba dhe Sophronios, u vendosën në këtë zonë pas një vegimi të Shën Mërisë. Legjenda tregon se ajo u kishte zbuluar vendndodhjen e një ikone të pikturuar nga apostulli Luka, e fshehur në malet Pontike.
Murgjit e gjetën ikonën në një shpellë, ku më vonë u ndërtua Kisha e Shkëmbit, zemra e kompleksit monastik. Ikona, e njohur si Panagia Soumela, u bë një objekt i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë.

Megjithatë, manastiri në formën që njihet sot mori zhvillim kryesisht gjatë shekullit XIII, në kohën kur rajoni drejtohej nga një mbretëri e krishterë. Ai vazhdoi të funksiononte edhe pas pushtimit osman të zonës në vitin 1461.
Pavarësisht përkatësisë myslimane, autoritetet osmane u lejuan komuniteteve të krishtera të ruanin besimin dhe institucionet e tyre fetare, për sa kohë që qëndronin besnike ndaj perandorisë, përcjell A2 CNN. Sipas përgjegjësit të muzeve dhe monumenteve historike në provincën e Trabzonit, Levent Alniak, sulltanët e konsideronin Sümela-n një vend të shenjtë dhe e mbështetën manastirin përmes dhurimit të tokave dhe ndihmave financiare.
Fundi i funksionimit të tij si komunitet aktiv fetar erdhi pas Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Në vitin 1923, shkëmbimi masiv i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë detyroi edhe murgjit grekë të largoheshin drejt Greqisë. Për të mos humbur thesaret e manastirit gjatë udhëtimit, ata i fshehën disa prej tyre në luginën Altındere.

Pas braktisjes, kompleksi u bë objekt i kërkimeve të gjuetarëve të thesareve, vandalizmit dhe dëmtimeve të shumta. Ikona e famshme Panagia Soumela u rikuperua më vonë dhe sot ruhet në manastirin Nea Sumela, në Greqinë veriore.
Përpjekjet për shpëtimin e monumentit nisën në vitet 1970, nën drejtimin e Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit. Një moment historik ishte 15 gushti 2010, kur, pas 88 vitesh ndërprerjeje, u zhvillua sërish një shërbesë ortodokse në manastir, me rastin e festës së Fjetjes së Shën Mërisë.
Sot, Sümela funksionon si muze shtetëror dhe pret mijëra vizitorë çdo ditë. Restaurimi i afreskeve dhe strukturave vazhdon, ndërsa për të parandaluar dëmtimet nga rënia e shkëmbinjve, specialistët kanë vendosur rrjeta mbrojtëse dhe barriera metalike në faqen e malit.

Gjatë punimeve restauruese është zbuluar edhe një tunel i fshehtë që të çon drejt një kishe të vogël, e cila mund të jetë përdorur dikur si pikë vrojtimi dhe mbrojtjeje. Brenda saj, arkeologët kanë gjetur afreske që paraqesin parajsën, ferrin, jetën dhe vdekjen.
Afresket janë një tjetër pasuri e jashtëzakonshme e manastirit. Në brendësi të Kishës së Shkëmbit ruhen piktura të shekullit XIII, me portrete të Jezu Krishtit dhe Shën Mërisë në tavan, ndërsa muret janë të mbushura me figura engjëjsh, apostujsh dhe shenjtorësh.
Një pjesë e këtyre veprave u dëmtuan gjatë dekadave kur manastiri mbeti i braktisur dhe i pambrojtur. Restauruesit po punojnë për heqjen e mbishkrimeve dhe rikthimin e pamjes origjinale të pikturave.

Manastiri ndodhet në Parkun Kombëtar të Luginës Altındere, rreth një orë larg me makinë nga qyteti i Trabzonit, në bregdetin lindor të Detit të Zi. Vizitorët mund të mbërrijnë me automjete private ose përmes tureve të organizuara, ndërsa një pjesë e rrugës drejt hyrjes përshkohet me autobusë transporti dhe në këmbë.
Me historinë e tij gati 1700-vjeçare, arkitekturën e pazakontë dhe afresket e rralla, Sümela mbetet një dëshmi e gjallë e trashëgimisë shumëfetare dhe historike të Anadollit. Manastiri është gjithashtu në listën paraprake të UNESCO-s për t'u shpallur pasuri e Trashëgimisë Botërore. (A2 Televizion)