Tirana mirëpret të martën botën e biznesit, nis edicioni i 32-të i Panairit Ndërkombëtar

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2026, 15:52 | Ekonomi

Tirana mirëpret të martën botën e biznesit, nis edicioni i

Tirana, një adresë e re e dialogut ekonomik ndërkombëtar.

Në ekonominë e sotme globale, ku konkurrenca nuk përcaktohet më vetëm nga produkti, por edhe nga aftësia për të krijuar aleanca, për të ndarë teknologji dhe për të depërtuar në tregje të reja, panairet ndërkombëtare kanë marrë një rol shumë më të gjerë se ai i ekspozimit tregtar. Ato janë hapësira ku ndërthuren interesat ekonomike, vizionet e zhvillimit dhe mundësitë për investime. Pikërisht në këtë dimension vjen edicioni i 32-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili hapet nesër në Pallatin e Kongreseve, nën organizimin e Klik Ekspo Group.

Për katër ditë, Tirana do të jetë një pikë takimi për mbi 300 kompani, me një përfaqësim ndërkombëtar që përfshin më shumë se 12 vende, institucione publike, dhoma tregtie dhe organizata biznesi. Në një sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrorë, ekspozuesit do të prezantojnë produkte, teknologji, shërbime dhe projekte në sektorë që përbëjnë shtyllat e ekonomisë moderne: energjinë, ndërtimin, teknologjinë, bujqësinë, industrinë ushqimore, turizmin dhe trashëgiminë kulturore.

Por rëndësia e TIF32 nuk qëndron vetëm te përmasat e tij. Ajo lidhet me mundësinë që Shqipëria të shfaqet përtej kufijve të një tregu konsumator, si një hapësirë ku mund të zhvillohen projekte, të ndërtohen partneritete dhe të krijohen marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike. Me rreth 5 mijë takime biznesi të parashikuara, panairi synon të krijojë lidhje konkrete mes kompanive shqiptare dhe partnerëve të huaj, duke e afruar ofertën vendase me kërkesën ndërkombëtare.

Një histori që nis në vitin 1994

Historia e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës nis në vitin 1994, në një periudhë kur Shqipëria po ndërtonte institucionet dhe marrëdhëniet e ekonomisë së tregut. Në atë realitet të ri, Klik Ekspo Group krijoi një platformë që do të ndihmonte në afrimin e sipërmarrjes shqiptare me përvojën dhe standardet ndërkombëtare. Pas më shumë se tri dekadash, TIF është kthyer në një nga ngjarjet më jetëgjata të këtij profili në vend.

Dimensioni ndërkombëtar i kësaj përvoje dëshmohet edhe nga anëtarësimi i Klik Ekspo Group në CEFA, Aleancën e Panaireve të Evropës Qendrore, dhe UFI, Shoqatën Globale të Industrisë së Ekspozitave. Prej vitit 2010, Panairi mban statusin UFI Approved Event, një standard ndërkombëtar që e lidh atë me komunitetin profesional të industrisë së ekspozitave në botë.

Pesë ekosisteme, një platformë bashkëpunimi

Koncepti i këtij edicioni, “Fair of Fairs”, e organizon panairin në pesë ekosisteme tematike: Gallery of Nations, TIF Power & Construction, TIF Tech, TIF Agro & Food dhe TIF Explore & Heritage. Kjo strukturë synon të kapërcejë ndarjen tradicionale mes sektorëve dhe të krijojë mundësi që bizneset të gjejnë brenda së njëjtës platformë zgjidhje të integruara.

Në sektorin e energjisë, ndërtimit dhe infrastrukturës do të marrin pjesë mbi 70 kompani, ndërsa teknologjia do të përfaqësohet nga më shumë se 50 sipërmarrje. TIF Agro & Food do të sjellë rreth 70 kompani dhe agrobiznese, ndërsa turizmi, hoteleria dhe trashëgimia kulturore do të kenë një hapësirë të veçantë përmes mbi 60 kompanive pjesëmarrëse.

Kjo ndërthurje ka një rëndësi praktike për investitorët dhe sipërmarrësit. Një projekt turistik, për shembull, mund të gjejë në të njëjtën hapësirë partnerët për ndërtimin, furnizimin energjetik, arredimin, teknologjinë dhe menaxhimin. Po kështu, një prodhues bujqësor mund të krijojë kontakte jo vetëm me blerësit, por edhe me kompani të paketimit, certifikimit dhe logjistikës.

Evropa dhe Ballkani takohen në Tiranë

Pjesëmarrja ndërkombëtare është një nga elementet më të rëndësishme të TIF32. Mbi 70 sipërmarrje italiane nga rajone të ndryshme të Italisë, përfshirë Pulian, Lazion, Kampanian, Venetën dhe Markën, do të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre. Në këtë bashkëpunim spikat roli i Italian Trade Agency dhe nisma ManiFuture, e mbështetur nga Rajoni i Pulias dhe Unioncamere Puglia, që i kushtohet dizajnit, manifakturës dhe arredimit.

Edhe Evropa Qendrore do të përfaqësohet nga kompani me përvojë të konsoliduar. Ndër emrat e pranishëm është edhe kompania gjermane Gebrüder Weiss, me një histori mbi 500-vjeçare në fushën e logjistikës. Kompanitë austriake, përmes Advantage Austria, do të sjellin gjithashtu produkte dhe zgjidhje për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Një vëmendje të veçantë merr edhe Ballkani Perëndimor, me pavijonet kombëtare të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe pjesëmarrjen e kompanive nga Kosova. Mbi 50 kompani të rajonit do të kenë mundësinë të prezantojnë ofertën e tyre dhe të krijojnë kontakte të reja tregtare.

Sipërmarrja shqiptare në një skenë ndërkombëtare

Panairi i këtij viti i jep një hapësirë të rëndësishme edhe sipërmarrjes vendase. Kompani shqiptare të sektorëve të ndërtimit, pasurive të paluajtshme, energjisë dhe infrastrukturës do të prezantojnë projektet dhe kapacitetet e tyre përpara partnerëve ndërkombëtarë. Në këtë grup përfshihen Gener2, Concord Group, Euroelektra, RedSol dhe Green Coast Hills, krahas mbi 80 kompanive të tjera të sektorit.

Pjesëmarrja e institucioneve si Korporata Shqiptare e Investimeve, OSHEE dhe Autoriteti Portual Durrës i jep panairit edhe një dimension institucional, duke afruar biznesin me projektet dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik.

Në sektorin agro-ushqimor, mbi 60 kompani, agrobiznese dhe shoqata fermerësh do të prezantojnë produkte dhe mundësi bashkëpunimi. Standardet evropiane, certifikimi, gjurmueshmëria dhe eksporti do të jenë ndër temat kryesore, ndërsa demonstrimet gastronomike me tetë shefa kuzhine do ta lidhin produktin me kulturën dhe traditën ushqimore.

Nga ekspozimi te marrëveshjet konkrete

Një nga objektivat kryesorë të TIF32 është që takimet të mos mbeten vetëm në nivel prezantimi. Në bashkëpunim me AIDA-n dhe Enterprise Europe Network, nga 4 deri më 6 nëntor do të zhvillohet programi i takimeve B2B, me rreth 5 mijë takime të parashikuara mes kompanive, blerësve, importuesve, distributorëve dhe investitorëve.

Programi përfshin edhe takime me blerës të përzgjedhur përmes Hosted Buyers Program, kontakte mes vetë ekspozuesve dhe takime me institucione publike. Pesë drejtimet kryesore lidhen me arredimin dhe furnizimet për projekte, agrobiznesin, turizmin dhe mikpritjen, pasuritë e paluajtshme dhe kërkimin e partnerëve strategjikë.

Në këtë mënyrë, panairi synon të krijojë një vijimësi mes prezantimit, negocimit dhe bashkëpunimit, duke i dhënë vlerë jo vetëm katër ditëve të ekspozimit, por edhe marrëdhënieve që mund të zhvillohen pas tyre.

Investimi te e ardhmja

TIF32 e zgjeron konceptin e vet edhe drejt brezit të ri, përmes bashkëpunimit me universitete dhe organizata që mbështesin aftësitë profesionale, startup-et dhe inovacionin. Universiteti Polis, Universiteti Evropian i Tiranës dhe Albanian Skills do të kontribuojnë në afrimin e të rinjve me sipërmarrjen, ndërsa parashikohen hapësira për prototipe, mentorim, praktika të paguara dhe mundësi punësimi.

Krahas dimensionit ekonomik, organizatorët kanë përfshirë edhe nisma të përgjegjësisë sociale, si mbështetja për organizatat sociale, dhurimi i librave dhe ripërdorimi i pajisjeve e mobilieve pas përfundimit të panairit.

Në fund, suksesi i një panairi ndërkombëtar nuk matet vetëm me numrin e kompanive që ekspozojnë apo me vizitorët që kalojnë nëpër stenda. Ai matet me marrëdhëniet që krijohen, investimet që marrin formë dhe mundësitë që mbeten të hapura edhe pasi dyert mbyllen. Me historinë e tij mbi tri dekada, përfaqësimin ndërkombëtar dhe ambicien për të lidhur tregjet, TIF32 synon ta vendosë Tiranën në qendër të një dialogu ekonomik që kapërcen kufijtë dhe krijon perspektiva të reja për sipërmarrjen shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos