Avioni ulet në mes të autostradës në Florida

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2025, 12:58 | Bota

Avioni ulet në mes të autostradës në Florida

Një aeroplan i vogël i tipit Beechcraft 55 u përplas me automjete në një nga autostradat më të ngarkuara të Floridës, gjatë një uljeje emergjente të kryer mbrëmjen e së hënës pranë Orlandos. Aeroplani kishte raportuar probleme me motorin vetëm pak çaste para se piloti të detyrohej të zgjidhte autostradën Interstate 95 si pistë të improvizuar uljeje.

Gjatë tentativës për ulje, aeroplani goditi një Toyota Camry, duke e shtypur pranë trafikndarëses prej betoni, shkruan A2 CNN. Drejtuesja e makinës, një grua 57-vjeçare, u dërgua në spitalin Viera Hospital me lëndime të lehta, një fat i jashtëzakonshëm duke parë përmasat e dëmtimit.

Piloti 27-vjeçar dhe pasagjeri i tij, gjithashtu 27 vjeç, arritën të dilnin nga avioni pa asnjë dëmtim dhe refuzuan të transportoheshin në spital. Pamjet nga vendngjarja treguan avionin të ndalur mbi rrugë. Përplasja shkaktoi bllokim të rëndë trafiku në të dy drejtimet, ndërsa ekipet e emergjencës punuan për të pastruar rrugën dhe për të siguruar zonën. Autoritetet e Florida Highëay Patrol konfirmuan se FAA do të nisë një hetim të plotë për të zbuluar shkakun e dështimit mekanik që detyroi uljen emergjente.

Kjo ngjarje shënoi incidentin e dytë ajror në Florida brenda të njëjtës ditë. Më herët, rreth orës 14:00, një tjetër avion i vogël u detyrua të ulej në një rrugë pranë DeLand High School në Volusia County, ku dy persona u plagosën dhe u dërguan në spital. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos