Mbrëmë, pak minuta pas mesnatës, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Justina Shiroka-Pulën presidente të vendit. Votimi kishte nisur në orën 23:55 të 6 tetorit, ndërsa rezultati u shpall pas mesnate. Mëngjesin e 7 tetorit, avokati Arianit Koci iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se me këtë është cenuar aktgjykimi i saj lidhur me afatin për zgjedhjen e presidentit.
Por, çfarë përcakton aktgjykimi i Kushtetueses dhe çfarë mund të ndodhë tani?
Më 23 shtator, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të Kosovës kishte nisur më 8 gusht dhe përfundonte më 6 tetor.
Në ditën e fundit të këtij afati, pas marrëveshjes së minutave të fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, Kuvendi nisi procedurën në orët e vona të mbrëmjes.
Votimi për presidente nisi në orën 23:55, ndërsa Justina Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota. Rezultati u shpall pas mesnate.
Avokati Arianit Koci iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një njoftim për, siç pretendon ai, moszbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses.
“Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26, me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Jemi dëshmitarë se deputetët kanë votuar edhe më datën 7 tetor.”
Por ndryshe e sheh situatën avokati Ardian Bajraktari. Sipas tij, edhe pse procedura nuk është përfunduar tërësisht brenda afatit, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht shkelje kushtetuese apo moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Procesi ka filluar brenda afatit. Natyrisht, janë disa nuanca që nuk është përfunduar i tërë procesi brenda kësaj periudhe, gjë që rezulton me disa defekte të vogla procedurale, për të cilat, në bindjen time, nuk përbëjnë çështje të shkeljes kushtetuese ose moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”
Bajraktari vlerëson se edhe në rast të një kontestimi eventual në Kushtetuese, procedura nuk do të duhej të konsiderohej e pavlefshme, pasi pjesa dërrmuese e saj ishte zhvilluar brenda afatit.
“Edhe në rast se hipotetikisht do të adresohej një çështje e tillë në Gjykatën Kushtetuese, unë vlerësoj që nuk do të rezultojë me shkelje, sepse, siç e thashë, procesi ka filluar brenda afatit, pjesa dërrmuese e procesit është përfunduar brenda afatit.”
Por, për një kontestim të drejtpërdrejtë të një vendimi të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta përcakton një procedurë të veçantë.
Neni 113 parashikon se 10 ose më shumë deputetë kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e një ligji ose vendimi të Kuvendit, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga procedura e ndjekur, brenda tetë ditësh nga miratimi i tij.
Në këtë rast, mbetet të shihet nëse do të mblidhen deputetët e nevojshëm për një kërkesë të tillë.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se çështja është më komplekse dhe se interpretimi varet edhe nga mënyra se si kuptohet përfundimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit.
“Nëse procedura ka filluar dhe ka qenë në zhvillim e sipër gjatë kohës kur ka skaduar afati, a e invalidon procedurën në tërësinë e saj? Normalisht, çështja është diskutabile. Mirëpo, ajo që është problematike në këtë rast është fakti që liderët politikë e kanë lënë këtë proces në minutat e fundit, duke e shfrytëzuar një afat kushtetues si mekanizëm të një lloj negocimi apo dialogu politik.
Normat kushtetuese nuk mund të relativizohen, por në të njëjtën kohë ato nuk duhet të shihen në mënyrë mekanike, sepse qëllimi i Kushtetutës është funksionimi i institucioneve dhe jo bllokimi i tyre.”
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës tashmë është bërë fakt, por mënyra se si u zhvillua procesi në orët e fundit të afatit kushtetues ka hapur debat juridik.
Nëse çështja kontestohet nga deputetët dhe dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, do të jetë pikërisht kjo gjykatë ajo që do të vlerësojë nëse procedura e ndjekur nga Kuvendi ishte në përputhje me Kushtetutën.
(A2 Televizion)