
Babai i një pengu izraelit të liruar, i cili u detyrua të hapte varrin e tij në një tunel në Gaza nga Hamasi, i ka thënë BBC-së se shëndeti i djalit të tij po "përmirësohet çdo ditë".
Sipas mediave të huaja, Avishai David foli pasi djali i tij 24-vjeçar, Evyatar David, dhe dy pengje të tjera të liruara, Guy Gilboa Dalal dhe Eitan Mor, u liruan nga spitali dhe u pritën si heronj në shtëpitë e tyre të dielën.
"Nuk mund ta shpjegoj sa i lumtur ndihem kur e shoh duke u rikthyer në veten e tij të mëparshme", shtoi babai.
Në gusht, dy muaj para lirimit të Evyatar, Hamasi kishte postuar një video që e tregonte atë të dobësuar në një tunel të ngushtë betony, një veprim që u dënua nga Izraeli dhe shumë udhëheqës perëndimorë.
Avishai David i tha BBC-së se ishte i lumtur që shihte “vitalitetin e të birit që përmirësohej çdo ditë, ngjyrën e fytyrës së tij duke iu rikthyer dhe faqet e tij duke u mbushur”.
"Falë Zotit, ia doli mbanë dhe është i fortë", tha ai më tej, shkruan A2 CNN.
Babai tha se kishte vuajtur për muaj të tërë duke e ditur se djali i tij ishte vetëm "80 km larg... dhe se nuk mund ta ndihmoja".
"Më shkatërroi," tha ai, duke shtuar se "nuk mund të flinte, të hante, të pinte siç duhet". (A2 Televizion)
