Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me një shumicë dërrmuese miratimin e një deklaratë e cila i hap rrugën krijimin e shtetit të Palestinës. Deklarata 7-faqëshe është rezultat i një konference ndërkombëtare në OKB në korrik, të organizuar nga Arabia Saudite dhe Franca, mbi konfliktin prej disa dekadash.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli bojkotuan deklaratën, ndërsa Shqipëria abstenoi. Në total rezoluta mori 142 vota pro dhe 10 kundër, ndërsa 12 vende abstenuan.
"Për ata që duan paqe, ejani dhe bashkohuni me ne. Për ata që duan të shpëtojnë jetë, ejani dhe bashkohuni me ne. Për ata që duan t'i japin fund luftës në Gaza, këtij agresioni, ejani dhe bashkohuni me ne. Për ata që duan të lirojnë pengjet dhe të burgosurit, ejani dhe bashkohuni me ne. Për ata që duan t'i japin fund mohimit të ushqimit dhe të vendosin urinë kundër popullit palestinez në Gaza, ejani dhe bashkohuni me ne. Për ata që duan të rindërtojnë Rripin e Gazës, ejani dhe bashkohuni”, tha vëzhguesi palestinez.
Vota vjen përpara një takimi të udhëheqësve botërorë më 22 shtator, të Asamblesë së Përgjithshme të nivelit të lartë të OKB-së, ku Britania, Franca, Kanadaja, Australia dhe Belgjika pritet të njohin zyrtarisht një shtet palestinez. Deklarata e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme me 193 anëtarë dënon sulmet kundër Izraelit nga militantët palestinezë Hamas më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan luftën në Gaza.
"Deklarata përfshin një ekuivalencë morale shqetësuese dhe nuk arrin të njohë realitetin se terrorizmi i Hamasit më 7 tetor ishte arsyeja pse kjo luftë ishte e nevojshme, dhe refuzimi i tij për të liruar pengjet dhe për të dorëzuar armët është arsyeja pse kjo luftë vazhdon. Versioni i deklaratës që po votohet në OKB vazhdon të përmbajë gjuhë që mbështet të ashtuquajturën të drejtë kthimi. Gjë që do të thoshte vdekjen demografike të Izraelit si shtet hebre. Për këto arsye, Shtetet e Bashkuara i nxisin delegacionet të bashkohen me ne në votimin kundër rezolutës”, tha Morgan Ortagus, Ambasadore e SHBA-së në OKB.
Rezoluta gjithashtu dënon sulmet e Izraelit kundër civilëve dhe infrastrukturës civile në Gaza, rrethimin dhe urinë, "të cilat kanë rezultuar në një katastrofë humanitare shkatërruese dhe krizë mbrojtjeje". Deklarata e mbështetur nga rezoluta thotë se lufta në Gaza "duhet të përfundojë tani" dhe mbështet vendosjen e një misioni të përkohshëm ndërkombëtar stabilizimi të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. (A2 Televizion)