Bashkimi Europian deklaroi se nuk është në dijeni për ndërtimin e dy urave të reja që pritet të ndërtohen mbi lumin Ibër.
Në një përgjigje për A2 CNN, BE kërkoi që për këtë projekt të behët kujdes.
“Bashkimi Europian, as nuk është në dijeni, as nuk është i përfshirë në këtë projekt. Çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse duke përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet e prekura”.
Komuna e Mitrovicës së Jugut, që kishte në plan ndërtimin e kësaj ure që nga viti 2022, konsideron se ka pasur gjithëpërfshirje në këtë projekt.
“Është shumë e nevojshme dhe e rëndësishme që të përfshihen edhe pjesa e vendimmarrjes të jenë të gjitha komunitetet dhe konsideroj që janë, gjithashtu konsideroj që veprimet që janë më të avancuara në kuptim strategjik patjetër se duhet të jenë në koordinim të plotë dhe në bashkëpunim të plotë e të ngushtë me partnerë strategjikë të Kosovës qysh janë SHBA dhe shtetet e BE”, tha Arian Tahiri.
Për zyrtarë komunalë veriore, është e rëndësishme që investimet të bëhen ne shkolla dhe ndërtimin e shtëpive të djegura që 26 vite.
“Kjo ura këtu që planifikohet të bëhet në cepin e djathtë do të jetë një atraksion turistik ka qenë në plan edhe më herët që në mes të Ibrit të jetë një restorant dhe të shfrytëzohet për këmbësorë. Kurse ura në cepin e majtë është më së paku të them, urë koti, janë 5 kilometra katrorë ka mjaft ura”, u shpreh Skënder Sadiku.
Shqetësime ngrihen edhe për mundësinë që urat të mos lejohen të shfrytëzohen për atë që do të ndërtohen.
“Më tepër brengos ndarja në kokat e njerëzve, çfarë na garanton që edhe këto ura që vijnë nuk do të ketë dashakëqinj të cilët nuk do të lejojnë që të shfrytëzohen urat për nevoja që do të ndërtohen” , shton Sadiku.
Në pjesën jugore thonë se nuk parashohin skenare të tilla dhe investimi po bëhet për qëllim të mirë.
“Nuk duhet të lexohen si qëllim aspo si tendencë për të bërë dëme ose për të dëmtuar dikënd, secili projekt infrastrukturor, secili projekt kapital në Mitrovicë e në Kosovë është dhe realizohet për qytetarët dhe duhet t’i gëzohen të gjithë pa dallime”, tha nënkryetari Tahiri.
Veriu dhe jugu i Mitrovicës aktualisht ka tri ura, dy prej të cilave mund të qarkullojnë edhe automjetet e ndërsa ajo kryesorja është e hapur vetëm për këmbësorë. (A2 Televizion)
BE e painformuar! Dy ura më shumë në qytetin e ndarë të Mitrovicës
