BE propozon dy zgjidhje për financimin e Ukrainës, Von der Leyen: Kemi pëlqimin e SHBA!

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2025, 14:49 | Bota

BE propozon dy zgjidhje për financimin e Ukrainës, Von der Leyen: Kemi

Komisioni Evropian ka prezantuar sot një kornizë të re financiare për të mbështetur Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, duke propozuar mbulimin e dy të tretave të nevojave të saj buxhetore, rreth 90 miliardë euro.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, deklaroi se pjesa e mbetur e fondeve duhet të mbulohet nga partnerët ndërkombëtarë dhe se BE-ja ka dy opsione kryesore për të siguruar këtë mbështetje.

Dy opsione për financimin e Ukrainës:

1.     Huamarrja nga BE-ja: BE-ja mund të marrë hua në tregjet e kapitalit duke përdorur buxhetin e unionit si garanci. Ky mekanizëm është i ngjashëm me skemat e përdorura gjatë pandemisë për të financuar programet e rimëkëmbjes.

2.     Huaja me asetet ruse të ngrira: Opsioni i dytë parashikon përdorimin e bilanceve të parave nga asetet ruse të ngrira brenda BE-së, të cilat do t’i jepen Ukrainës si hua. Ukraina do të jetë e detyruar t’i kthejë fondet vetëm nëse Rusia paguan reparacione të luftës; në të kundërt, asetet mbeten të ngrira.

Të dyja zgjidhjet do të përdoren për të mbushur boshllëqet buxhetore të Ukrainës dhe për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe mallrave të prodhuara në Ukrainë dhe në BE.

Rreth 190 miliardë euro të fondeve ruse të ngrira ndodhen aktualisht në Belgjikë, kryesisht përmes shtëpisë financiare Euroclear. Qeveria belge është shprehur e shqetësuar se institucioni mund të përballet me padi nëse Rusia sfidon përdorimin e këtyre fondeve.

Komisioneri i ekonomisë, Valdis Dombrovskis, prezantoi një paketë masash ligjore për të minimizuar rrezikun, duke përfshirë një klauzolë “pa pretendime” që ndalon ekzekutimin e kërkesave të huaja ndaj aseteve të shteteve anëtare brenda BE-së. Po ashtu një garanci shtetërore që mbështet huanë në rast të ndonjë pretendimi nga pala ruse dhe një dispozitë që lejon rikuperimin e dëmeve për të reduktuar rrezikun e padive në vende të treta.

Von der Leyen tha se këto masa adresojnë pothuajse të gjitha shqetësimet e Belgjikës. Presidentja e Komisionit konfirmoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë informuar për propozimin dhe e kanë pritur pozitivisht.

Kujtojmë se administrata e Donald Trump kishte paraqitur një ide tjetër, ku 100 miliardë dollarë do të investoheshin në Ukrainë, ndërsa 50% e fitimeve do t’i kalonin SHBA-së, ndërsa pjesa tjetër do të shkonte në një mekanizëm investimi SHBA–Rusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos