
Belgjika ka lëshuar viza për një delegacion të talebanëve që do të marrë pjesë në një takim mbi migracionin në Bruksel, duke shënuar vizitën e parë të përfaqësuesve të regjimit afgan në një aktivitet të organizuar nga Bashkimi Evropian që nga rikthimi i tyre në pushtet në vitin 2021.
Vendimi ka nxitur reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat paralajmërojnë se angazhimi me talebanët mund të dëmtojë kredibilitetin e BE-së në mbrojtjen e të drejtave themelore.
Qeveria belge bëri të ditur se ka miratuar pesë viza pasi verifikimet e sigurisë nuk konstatuan rrezik nga anëtarët e delegacionit. Autoritetet sqaruan se vizat janë të kufizuara vetëm për territorin belg dhe kanë vlefshmëri njëditore.
Zyrtarët belgë nuk kanë bërë publike datën e saktë të takimit për arsye sigurie, ndërsa burime të BE-së bëjnë me dije se bisedimet pritet të zhvillohen së shpejti.
Diskutimet do të fokusohen te migracioni dhe kthimi i mundshëm i shtetasve afganë që nuk kanë të drejtë qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ka theksuar se takimi zhvillohet në nivel teknik dhe nuk nënkupton njohje zyrtare të qeverisë talebane. (A2 Televizion)