Beteja në Kursk, Zelensky thyen heshtjen, pranon se ushtria ukrainase po lufton në territorin rus

Nga A2 CNN
11 Gusht 2024, 09:23 | Bota

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pranuar për herë të parë se ushtria e tij po kryen një ofensivë ndërkufitare brenda rajonit perëndimor të Kurskut në Rusi.

Në fjalimin e tij me video të shtunën vonë, Zelensky tha se ushtria e Ukrainës po e shtyn luftën në "territorin e agresorit" në një përpjekje për të rivendosur drejtësinë pasi Rusia nisi pushtimin në 2022.

Lideri i Kievit tha se kishte diskutuar operacionin me oficerin e lartë ushtarak ukrainas Oleksandr Syrskyi.

“Sot, mora disa raporte nga komandanti i përgjithshëm Syrskyi në lidhje me vijën e frontit dhe veprimet tona për të shtyrë luftën në territorin e agresorit. Ukraina po provon se me të vërtetë mund të rivendosë drejtësinë dhe të sigurojë presionin e nevojshëm ndaj agresorit", tha Zelensky.

Ndërkohë, Rusia tha se forcat ukrainase kishin depërtuar në rajonin e Kurskut të martën. Të mërkurën, gjenerali më i lartë i Moskës, Valery Gerasimov, tha se sulmet ishin ndalur, por Rusia deri më tani nuk ka arritur të zmbrapsë forcat ukrainase nga territori i saj.

Zyrtarët në Kursk thanë mëngjesin e sotëm se 13 persona u plagosën në qytet pasi mbeturinat nga një raketë e shkatërruar ukrainase ranë në një ndërtesë banimi 9 katëshe.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se njësitë e saj ajrore shkatërruan 14 dronë të lëshuar nga Ukraina dhe katër raketa balistike taktike Tochka-U mbi rajonin e Kursk. Dronë ukrainas u rrëzuan gjithashtu mbi rajonet Voronezh, Belgorod, Bryansk dhe Orlov.

Këto raportime vijnë 24 orë pasi Rusia tha se kishte përdorur një bombë termobarike kundër forcave ukrainase ndërsa njoftoi një operacion "kundër-terrorizmit" për t'u kundërpërgjigjur inkursionit tronditës të Kievit në Kursk. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos