Beteja në rrugë kanë shpërthyer në qytetin e Gazës, teksa luftëtarët e Hamasit përdorin tunelet për ti zënë pritë forcave izraelite. Militantët publikuan një video ku duket se shfaqen përleshje intensive nëpër rrugë bashkë me godinat e bombarduara në qytet.
Ushtria e Telavivit e cila ka depërtuar tashmë në zemër të Gazës pretendon se Hamas e ka humbur kontrollin në veriun e enkavës, por sipas burimeve tanket e saj, po përballen me rezistencë të ashpër nga militantët që shfrytëzojnë tunelet nëntokësore për të sulmuar në befasi.
Izraeli pretendon se ka marrë kontrollin e një qendre të Hamasit në xhabalia, disa orë pas raportimit për bombardimin e një godine banimi në zonë. Sipas ushtrisë, 50 mijë palestinezë u shpërngulën nga qyteti i Gazës drejt jugut, pas thirrjeve për evakuime…
“Sot, pamë 50 mijë qytetarë të gazës të zhvendosen nga veriu drejt jugut. Ata po ikin sepse e kuptojnë që Hamasi ka humbur kontrollin në veri dhe se jugu është më i sigurt…”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë.
Në një video të publikuar nga ushtria izraelite, duket momenti kur trupat hedhin në erë një tunel te Hamasit. Siç thuhet, 130 të tilla janë shkatërruar që prej fillimit të luftës…
Teksa viktimat në Rripin e Gazës i kanë tejkaluar 10500, komisioneri i OKB për të drejtat e njeriut akuzoi si Izraelin ashtu edhe Hamasin për krime lufte…
Sekretari i Përgjithshëm i OKB dënoi Hamasin për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore por tha gjithashtu se numri i madh i qytetarëve të vrarë në gaza tregonte se diçka ishte qartazi e gabuar me operacionet ushtarake të izraelit. (A2 Televizion)