Biden aprovon paketën e re të ndihmave ushtarake, 2.5 miliardë dollarë për Kievin

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2024, 15:02 | Bota

Biden aprovon paketën e re të ndihmave ushtarake, 2.5 miliardë

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka njoftuar sot një ndihmë shtesë prej 2.5 miliardë dollarësh për Ukrainën, teksa ai përdor javët e tij të fundit në detyrë për të rritur ndihmën ushtarake për Kievin përpara se presidenti i zgjedhur Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Në drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për të forcuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë për pjesën e mbetur të presidencës sime”, tha Biden në një deklaratë.

Njoftimi i Biden përfshin 1.25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake nga rezervat e SHBA-së dhe një paketë 1.22 miliardë dollarësh të Iniciativës së Ndihmës Ushtarake (USAI) për Ukrainën, paketa e fundit e USAI-t nën presidencën Biden.

Në deklaratën e tij, Biden tha se ndihma e re do t'i sigurojë Ukrainës "një rrjedhë të menjëhershme të aftësive që ajo vazhdon të përdorë me rezultate të shkëlqyera në fushën e betejës dhe furnizime afatgjata të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe sistemeve të tjera kritike të armëve".

Në gati tre vitet e luftës, Uashingtoni ka dhënë gjithsej 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, por është e pasigurt nëse ndihma do të vazhdojë me këtë ritëm nën drejtimin e Donald Trump, i cili do të zëvendësojë Biden në 20 janar.

Biden tha se Departamenti i Mbrojtjes është në procesin e dorëzimit të qindra mijëra predhave artilerie, mijëra raketash dhe qindra automjeteve të blinduara "që do të forcojnë aftësitë e Ukrainës këtë dimër". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos