
Çmimi në rënie i kokainës po detyron trafikantët e drogës që të ri-përdorin “narko-nëndetëset”, që më parë i fundosnin pas çdo transporti nga Amerika e Jugut drejt Europës, njoftojnë autoritetet spanjolle.
Që nga viti 2006, kur u gjet në Galician e Veriut një nëndetëse e braktisur, policia spanjolle ka regjistruar dhjetë raste të tilla në ujërat e Spanjës. Këto mjete të pjesërisht të zhytura, të ndërtuara me kosto prej rreth 600 000 eurosh, më parë përdoreshin për një udhëtim të vetëm. Por për shkak të prodhimit të madh të kokainës dhe rënies së çmimeve në më pak se gjysmën e vlerës së mëparshme, rreth 15 000 euro për kilogram, trafikantët nuk mund të justifikonin më fundosjen e tyre.

“Përpara, këto nëndetëse shkonin drejt Ishujve Kanarie dhe më pas fundoseshin. Çmimi i drogës e bënte këtë të vlefshme. Por tani, me çmimet kaq të ulëta, organizatat e kanë riparuar strategjinë: shkarkojnë drogën dhe përdorin platforma furnizimi në det për t’i kthyer në vendet e origjinës dhe për të bërë sa më shumë udhëtime”, tha Alberto Morales, shefi i brigadës qendrore të narkotikëve të Policisë Kombëtare Spanjolle për “The Guardian”, përcjell A2.

Policia spanjolle dhe doganat kanë sekuestruar 123 ton kokainë vitin e kaluar, një rritje nga 58 tonë vetëm dy vite më parë. Arrestimet dhe konfiskimet e mëdha të drogës janë bërë kryesisht në Galicia dhe në Azore.
Përveç kësaj, trafiku i drogave sintetike po përhapet gjithnjë e më shumë në Spanjë. Në dy vitet e fundit, autoritetet kanë mbyllur laboratorë të mëdhenj prodhimi të MDMA, amfetaminës dhe metamfetaminës. Këto laboratorë shpesh ndodhen në zonat rurale për siguri më të madhe dhe përdorin dronë për të monitoruar ambientin.

Ekspertët e Policisë spanjolle paralajmërojnë se trafiku i drogës po evoluon, duke përdorur teknologji moderne dhe strategji të reja transporti, duke e bërë më sfidues luftimin e këtij fenomeni në të gjithë Europën. (A2 Televizion)