Bie vrulli politik për zgjerimin? “Politico”: Macron po bllokon procesin mes krizës politike në Francë

Nga Rosalba Bejdo
23 Tetor 2025, 12:10 | Bota

Në vitin 2022, presidenti francez Emmanuel Macron udhëhoqi krijimin e Komunitetit Politik Europian, si një “dhomë pritjeje” për shtetet që aspironin t’i bashkoheshin BE-së. Një vit më vonë, ai u zotua të integronte në bllok vendet kandidate sa më shpejt që të ishte e mundur. Por krizat dhe problemet e brendshme duket se kanë ndikuar ndjeshëm në vizionin e kreut të Elizesë, i cili, sipas Politico-s, po bëhet pengesë për zgjerimin e bllokut.

Në prag të një samiti të rëndësishëm në Bruksel, ku Macron merr pjesë tashmë si një udhëheqës i dobësuar politikisht, Politico shkruan se ai ka kundërshtuar propozimin e presidentit të Këshillit, António Costa, për të hequr fuqinë e vetos së Hungarisë në pjesë të procesit të zgjerimit. Aleatët e shohin këtë lëvizje si plotësisht në kontradiktë me angazhimet e mëhershme të Macron, përcjell A2 CNN.

Sipas një aleati të ngushtë, presidenti francez thjesht nuk ka kapitalin politik për të mbështetur disa prej ambicieve të veta, veçanërisht ato që do t’u jepnin më shumë material euroskeptikëve të Marine Le Pen.

“Nuk është momenti i duhur. Kemi lakun e së djathtës ekstreme në qafën tonë. Çdo bisedim për hyrjen e Shqipërisë apo Malit të Zi në Bashkimin Europian do të ishte një dhuratë për Le Pen”.

Burimi për "Politico"

Për rënien e vrullit gjeopolitik sa i përket zgjerimit flet gjithashtu Guy de Launey, korrespondenti i njohur nga Brukseli i disa mediave të mëdha si BBC apo Sky. Në një shkrim ai thotë se Shqipëria duhet ta lexojë mirë frazën e vakët të Ursula von der Leyen, se “na pëlqen ambicia juaj” për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2027.

“Nëse dy dekadat e fundit kanë treguar diçka”, shkruan gazetari, “është se vetëm një njeri i pamësuar me detin do të priste një lundrim pa pengesa nga Ballkani Perëndimor deri në Bruksel”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos