Bomba mbi rrjetin elektrik e pallate, armëpushimi i Trump pa efekt, përplasje e fortë me Zelenskin

Nga Rosalba Bejdo
12 Tetor 2026, 10:22 | Bota

Bomba mbi rrjetin elektrik e pallate, armëpushimi i Trump pa efekt,

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë vijon e ashpër, si në terren ashtu edhe nëpër rrugët diplomatike.

Një tjetër valë bombardimesh goditi Ukrainën duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në lindje të vendit, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump njoftoi atë që e quajti armëpushim energjetik, ditën e dielë.

Tre persona humbën jetën dhe 25 të tjerë mbetën të plagosur gjatë sulmit raketor në një zonë rezidenciale në periferi të Kharkivit. Mes viktimave janë edhe dy të rinj, të moshës 16 dhe 19-vjeçare. Bombardimet shënjestruan një dyqan ushqimesh dhe disa godina banimi.

Të dielën presidenti amerikan njoftoi në mënyrë të papritur pushim të luftimeve ndaj infrastrukturës energjetike, duke pretenduar se Moska dhe Kievi kishin pranuar marrëveshjen. Por presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se nuk dinte asgjë dhe se priste detajet nga pala amerikane.

"Ne e mirëpresim një marrëveshje të tillë dhe jemi të gatshëm nëse Rusia e respekton. Por fatkeqësisht, dronët rusë 'Shahed' kanë qenë në qiell gjatë gjithë ditës së sotme. Pati gjithashtu goditje dhe sulme ndaj infrastrukturës sonë energjetike."

Sipas një funksionari amerikan të intervistuar nga Axios, Rusia nuk ka pranuar aktualisht ndonjë armëpushim.
Zyrtarët në Moskë pretendojnë se mbi 150 dronë ukrainas janë rrëzuar gjatë natës.

Sulmet e reja vijnë pas një serie zhvillimesh dramatike në fushën e diplomacisë me presidentin Trump që nënshkroi një marrëveshje të madhe me Moskën, për hedhjen në treg të naftës ruse.

Ai i kërkoi Zelenskit të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë dhe tha se vendi duhej të zgjidhte një president të ri.

Mes përplasjes më të rëndë që prej takimit në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, Zelenski tha se ishte i gatshëm të çonte vendin në zgjedhje nëse Rusia pranonte një armëpushim të plotë 60-ditor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos