
Deputetët e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi, kanë kundërshtuar në Këshillin e Etikës kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut, duke e cilësuar atë të pabazuar në ligj dhe Rregulloren e Kuvendit.
Në qëndrimin e tyre, Korreshi dhe Himçi argumentojnë se veprimet e pretenduara nga PS, përfshirë pengimin e seancës, fyerjet dhe hedhjen e sendeve, mund të ndëshkohen me përjashtim deri në 10 ditë kalendarike, sipas pikës 1 të nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit.
Sipas tyre, masa deri në 60 ditë, e parashikuar në pikën 7 të këtij neni, zbatohet për përdorimin e mjeteve piroteknike, tymuese, bojërave apo mjeteve të ngjashme, për të cilat, sipas deputetëve demokratë, PS nuk ka ngritur pretendime në kërkesën e saj.
Për këtë arsye, ata e cilësojnë kërkesën e socialistëve abuzive dhe të papranueshme, duke kërkuar rrëzimin e saj. “Dënim pa ligj, si në kohën e komunizmit”, thuhet në qëndrimin e dy deputetëve të PD-së.
(A2 Televizion)