Përmbytje sërish në Nepal, dhjetëra shtëpi rrëmbehen nga ujërat, 5 persona të zhdukur

Nga A2 CNN
11 Tetor 2026, 18:14 | Bota

Përmbytje sërish në Nepal, dhjetëra shtëpi

Përmbytjet kanë goditur sërish Nepalin qendror, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënë të paktën pesë persona të zhdukur. Ekipet e shpëtimit janë angazhuar në operacionet për gjetjen e personave të humbur dhe evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.

Sipas autoriteteve, rreth 45 shtëpi janë rrëmbyer nga ujërat, ndërsa janë dëmtuar edhe tri projekte hidroelektrike dhe katër ura. Pamjet e publikuara nga zona e prekur tregojnë rrjedha të fuqishme uji, të mbushura me baltë dhe mbeturina, që përshkojnë zonat kodrinore të distriktit Gorkha.

Shefi i agjencisë kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive, Dharam Raj Uprety, bëri të ditur se përmbytja u shkaktua pasi një rrëshqitje dheu bllokoi rrjedhën e lumit, duke krijuar një grumbullim uji që më pas shpërtheu me forcë.

Autoritetet konfirmuan se të paktën 82 persona, mes tyre nëntë shtetas të huaj, janë shpëtuar nga zonat e prekura. Për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe evakuimit janë angazhuar katër helikopterë.

Ndërkohë, niveli i ujit në lumin Budhi Gandaki vijon të rritet, duke shtuar shqetësimet për banorët që jetojnë pranë brigjeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të largohen nga zonat e rrezikuara dhe të zhvendosen në vende më të sigurta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos