
Kthimi në vendlindje po bëhet një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e historisë së migracionit shqiptar. Sipas të dhënave të Censusit 2023, mbi 108 mijë shqiptarë janë kthyer në vend gjatë periudhës 2012-2023, gjysma e tyre në vitet e fundit. Për shumë migrantë ky proces është rikthim në një vend që duket njëkohësisht i njohur dhe i panjohur: me përvojë të fituar jashtë, pritshmëri të reja dhe nevojën për të gjetur sërish vendin e tyre.
Pas kthimit, shumë persona dhe familje kanë nevojë për informacion të qartë dhe mbështetje të koordinuar për ri-integrimin e tyre.
Riintegrimi nuk konsiston vetëm në regjistrimin e dokumenteve dhe gjetjen e një pune por edhe tek sigurimi i strehimit, aksesi në shërbime shëndetësore, sociale apo arsimore dhe rikthimi në jetën e komunitetit. Për ta bërë këtë proces më të koordinuar dhe të qëndrueshëm, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në Shqipëri (IOM) me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka zhvilluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për Migracionin e Kthimit në nivel vendor për një qasje të përbashkët në identifikimin e nevojave të migrantëve që kthehen dhe lidhjen me shërbimet përkatëse.
Për personin e kthyer, kjo qasje synon të krijojë një pikë të qartë kontakti në bashki, një vlerësim të nevojave dhe ndjekje të mbështetjes së kërkuar. Kështu, orientimi drejt shërbimeve shoqërohet me ndjekjen e rastit dhe të rezultateve të referimit.
Procedurat përcaktojnë hapat që duhet të ndiqen nga strukturat vendore, nga kontakti i parë me migrantin e kthyer e deri te referimi te institucionet përkatëse dhe ndjekja e progresit të rastit.
Sipas PSV-së së re, për çdo migrant të përfshirë në këtë proces duhet të caktohet një menaxher rasti në nivel vendor, i cili ndjek procesin deri në përfundimin e tij. Kjo krijon një pikë të qartë përgjegjësie dhe e lidh vlerësimin e nevojave me hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të mbështetur riintegrimin.
Menaxheri i rastit vlerëson aspektet ekonomike, sociale dhe psikosociale: nga punësimi, të ardhurat dhe njohja e kualifikimeve, te strehimi, shëndetësia, arsimi, dokumentacioni dhe mbështetja sociale.
Në varësi të nevojave të identifikuara, bashkitë mund të orientojnë dhe referojnë migrantët drejt institucioneve dhe shërbimeve përkatëse, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Shërbimin Social Shtetëror, institucionet shëndetësore dhe arsimore, strukturat e gjendjes civile, shërbimet e ndihmës juridike, organizatat e shoqërisë civile, ofruesit e formimit profesional dhe aktorë të tjerë.
Procedurat parashikojnë ndjekjen e rasteve në kohë, me ndjekje periodike gjatë vitit të parë, duke monitoruar nëse personi ka arritur të integrohet në tregun e punës, të sigurojë strehim, të aksesojë shërbimet shëndetësore dhe arsimore, të zhvillojë një aktivitet ekonomik dhe të marrë pjesë në jetën e komunitetit, me synimin që të kuptohet nëse mbështetja i është përgjigjur nevojave të personit dhe çfarë pengesash mbeten. Roli i bashkive në menaxhimin e migracionit të kthimit bëhet më i strukturuar: jo duke zëvendësuar institucionet e specializuara, por duke orientuar qytetarët dhe ndjekur progresin.
Për të siguruar që kjo qasje të mund të zbatohet në praktikë, përveç konsultimit të palëve të interesuara gjatë hartimit, IOM ka mbështetur bashkitë edhe me forcimin e kapaciteteve të stafit të sektorit të diasporës dhe migracionit. mbi mënyrën e zbatimit të procedurave dhe menaxhimit të rasteve të migrantëve të kthyer. 120 punonjës institucionalë janë konsultuar dhe trajnuar për këtë qasje gjatë vitit 2026. Trajnimet synojnë gjithashtu të forcojnë aftësitë e stafit në komunikimin me migrantët, identifikimin e personave në situata vulnerabël, mbrojtjen e fëmijëve, identifikimin dhe adresimin e pengesave që lidhen me gjininë, mbështetjen e parë psikosociale si dhe mbrojtjen e të dhënave të migrantëve.
Duke forcuar kapacitetet e bashkive dhe bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve, kjo nismë synon që personat e kthyer të kenë informacion më të qartë, mbështetje sipas nevojave dhe ndjekje të vazhdueshme të procesit të riintegrimit. Zbatimi i procedurave është një hap drejt shërbimeve vendore më të koordinuara dhe më të aksesueshme për personat dhe familjet që kthehen në Shqipëri. (A2 Televizion)