"Ata që qeverisin Izraelin nuk janë gjë tjetër veçse një rrjet vrasësish që e kanë transformuar vizionin e tyre radikal në një ideologji fashiste”. Kështu është shprehur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke folur me gazetarët pas kthimit nga samiti i Dohas.
Ai ka përsëritur se “Netanyahu është praktikisht i lidhur ideologjikisht me Hitlerin dhe do të pësojë të njëjtin fat ai”.
“Ai e zotëron këtë karakteristikë. Ashtu si Hitleri, i ndikuar nga progresi i bërë, nuk ishte në gjendje të parashikonte humbjen që e priste, Netanyahu do të pësojë të njëjtin fat përfundimtar. Unë besoj në këtë", shtoi ai.
Ndërkohë banorët e qytetit të Gazës thonë se po i nënshtrohen bombardimeve "të rënda dhe të pamëshirshme", ndërsa ushtria izraelite zgjeron ofensivën tokësore, duke detyruar mijëra njerëz të ikin. Të paktën 89 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në të gjithë Gazën dhe nga uria e detyruar që nga agimi.
Operacioni tokësor është duke u zhvilluar në Qytetin e Gazës, ku ushtria ka shpërthyer disa automjete të blinduara me telekomandë, duke shkatërruar shumë ndërtesa në pritje të hyrjes së forcave të tjera ushtarake.
"Ne kemi filluar shkatërrimin e infrastrukturës së Hamasit në Qytetin e Gazës; qyteti është një zonë e rrezikshme luftimi. Ne kontrollojmë 40% të qytetit", postoi në mediat sociale zëdhënësi i IDF-së në gjuhën arabe.
Një hetim i Kombeve të Bashkuara ka arritur në përfundimin se lufta gati dyvjeçare e Izraelit në Gaza është një gjenocid.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, zhvillon bisedime me emirin e Katarit, ndërsa Izraeli nis sulme të reja ajrore në qytetin portual Hodeidah të Jemenit.
(A2 Televizion)