Qyteti jugori Gazës, ai i Rafahut u bë shënjestër e bombardimeve të ashpra gjatë natës, me pasojë vrasjen e të paktën 20 personave. Sipas autoriteteve në territor, raketat dhe sulmet ajrore izraelite shënjestruan tri godina banimi. Dhjetëra mijëra qytetarë të Gazës janë strehuar në Rafahun kufitar me Egjiptin, teksa forcat izraelite urdhëruan civilët të zhvendosen më thellë në jug, mes luftimeve intensive në qytetin e dytë më të madh të Gazës, Khan Junis.
Por siç po bëhet gjithmonë e më e qartë në enklavën me popullsi të dendur, nuk ka mbetur më asnjë cep i sigurt. Këshilli i sigurimit pritet të votojë gjatë mbrëmjes një rezolutë të re që bën thirrje për armëpushim, mes rritjes së trysnisë ndërkombëtare ndaj Tel Avivit, për të reduktuar viktimat civile.
Përpjekja e re e Këshillit, vjen 10 ditë pasi një iniciativë e ngjashme u bllokua nga aleati më i ngushtë i Izraelit, SHBA-ja. Drafti fillestar i rezolutës kërkonte reshtje të menjëhershme dhe të qëndrueshme të armiqësisë, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.
Por sipas raportimeve, gjuha mund të jetë zbutur, në “pezullim të armiqësisë”, për të siguruar mbështetjen e Uashingtonit. Një hap i tillë ndërmerret teksa krerët e shërbimeve të zbulimit në SHBA dhe Izrael u takuan me kryeministrin e Katarit, që shërben si negociator me Hamasin. Qëllimi ishte të sigurohej lirimi i më shumë pengjeve izraelite.
Sakaq, SHBA-ja bëri me dije se 10 vende janë dakordësuar të krijojnë një koalicion për mbrojtjen e transportit tregtare në Detin e Kuq, pas sulmeve nga rebelët Huthi. Lëvizja e mbështetur nga Irani, në Jemen ka shënjestruar anije të cilat besojnë se kanë lidhje me Izraelin. (A2 Televizion)