Një deklaratë e bujshme nga një zyrtar i lartë iranian ka ndezur shqetësime të reja në arenën ndërkombëtare mbi rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor në Lindjen e Mesme. Gjenerali Mohsen Rezaee, një nga figurat kyçe në Gardën Revolucionare Islamike të Iranit dhe anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vendit, ka pretenduar se Pakistani ka kërcënuar se do të përdorë një armë bërthamore kundër Izraelit në rast se ky i fundit përdor armë bërthamore ndaj Iranit.
Sipas Rezaee, Pakistani ka dhënë garanci se do të "qëndrojë pas Iranit" nëse Izraeli e kalon vijën e kuqe. Ai gjithashtu bëri thirrje për një bashkim të botës islame kundër Izraelit.
Megjithatë, qeveria pakistaneze ka mohuar kategorikisht këto pretendime. Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, u shpreh se vendi i tij është nënshkrues i të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare për kontrollin e armëve bërthamore dhe se arsenali bërthamor i Pakistanit ka si qëllim vetëm mbrojtjen dhe interesin kombëtar.
“Asnjë kërcënim nuk është bërë. Ne nuk mbështesim përdorimin e armëve bërthamore dhe qëndrimi ynë është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha Asif, ndërsa njëkohësisht kritikoi mbështetjen perëndimore për Izraelin, të cilin e quajti “një shtet i papërgjegjshëm që mund të sjellë pasoja katastrofike për rajonin”.

Këto zhvillime vijnë në një moment kur përplasja ushtarake mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fazën më intensive ndonjëherë. Pas një sulmi të gjerë izraelit mbi objektivat bërthamore dhe ushtarake në Iran, ku sipas burimeve janë vrarë komandantë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë, Teherani ka nisur një valë të re raketash drejt qyteteve izraelite, shkruan A2 CNN.
Mëngjesin e sotëm, sirenat e alarmit u dëgjuan në gjithë Izraelin, ndërsa raketat iraniane goditën disa zona në qendër të vendit, përfshirë qytetin Petah Tikva, ku u raportuan dëme të mëdha materiale dhe pesë viktima civil, dy burra dhe dy gra në të 70-at, si dhe një person tjetër.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Izraelit goditën 10 qendra komanduese të Forcës Quds në Teheran, krahu elitar i Gardës Revolucionare që operon jashtë Iranit. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Tel Aviv gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore izraelite u përpoq të pengonte sulmet ajrore të Teheranit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që palët të “arrijnë një marrëveshje”, por gjithashtu ka pranuar se “nganjëherë duhet të luftojnë përpara se të pajtohen”. Më herët, Trump kishte ndërhyrë personalisht për të bllokuar një plan izraelit për të vrarë liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Ndërkohë që situata mbetet e ndezur dhe e paparashikueshme, frika për një konflikt rajonal me pasoja globale - përfshirë edhe përdorimin e armëve bërthamore - është më reale se kurrë. (A2 Televizion)