Bombë në monopatinë, Ukraina vret kreun e forcave bërthamore ruse

Nga Rosalba Bejdo
17 Dhjetor 2024, 10:21 | Bota

Një bombë e fshehur në një monopatinë elektrike shkaktoi vdekjen e komandantit të forcave të mbrojtjes bërthamore, kimike dhe biologjike. Gjeneral Lejtnant Igor Kirillov, i cili vetëm një ditë më parë u akuzua nga Kievi se ishte përgjegjes për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase, u vra jashtë një blloku apartamentesh në juglindje të Moskës, bashkë me asistentin e tij.  

Siç raportohet, bomba e telekomanduar në distancë kishte shpërthyer pasi dy dyshja po dilte nga godina në orët e para të së martës. Burime të sigurisë ukrainase, të cituara nga mediat ndërkombëtare, kanë pranuar se gjenerali ishte vrarë nga shërbimet e sigurisë së Kievit. Sipas burimit, Kirillov ishte shënjestër legjitime, si kriminel lufte që kishte urdhëruar përdorimin e armëve kimike kundër ushtrisë ukrainase.

Imazhe të postuara në Telegram tregojnë hyrjen e shpartalluar të një godine dhe rrënojat pranë zonës së shpërthimit, shkruan A2. 

“Fillimisht menduam se mund të bëhej fjalë për hedhje të çementos. Por, shpërthimi ishte aq i fortë sa nuk ngjasonte me punime ndërtimi. Ishte shumë e frikshme”, thonë dëshmitarët. 

Hetuesit thanë se kishin nisur hetimet kriminale për vrasjen e dy zyrtarëve. Sipas burimeve të sundimit të ligjit të cituara nga mediat ruse, me gjasë rasti do të trajtohet si akt terrorizmi. Që prej fillimit të luftës, Moska ka akuzuar Ukrainën për vrasje të profilit të lartë, përfshirë për Daria Duginën, vajza e ideologut nacionalist Aleksandër Dugin, e cila po ashtu vdiq në një sulm me bombë.

Kirillov, i cili ishte i martuar me dy fëmijë, shpesh shfaqej në televizionin shtetëror duke akuzuar Kievin për shkeljen e protokolleve të sigurisë bërthamore. Në të kaluarën, gjenerali ishte sanksionuar nga vendet perëndimore për rolin e tij në luftën ukrainase, me Britaninë e Madhe që cilësonte përgjegjës për përdorimin e armëve barbare në fushëbetejë, të tilla si agjenti toksik kloropikirin. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos