Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian ka akuzuar Izraelin për financim të Hamasit me synim “dobësimin e autoritetet palestinez të Fatah-it.
Josep Borrell, i cili ka përgatitur një udhërrëfyes me dhjetë pika për një proces të mundshëm paqeje, nuk ofroi asnjë provë që të mund të mbështeste pretendimet e tij.
Deklaratën, diplomati e bëri gjatë një fjalimi në Universitetin Valladolid të Spanjës. Borrell akuzoi po ashtu edhe kryeministrin Benjamin Netanyahu se po kujdeset personalisht që të pengojë çdo përpjekje për të zgjidhur konfliktin e tejzgjatur Izrael-Palestinë.
“Lajmi i keq është se Izraeli, në veçanti qeveria e tij, është duke refuzuar tërësish, dhe dje Netanyahu e tha sërish si të ishte duke parashikuar fjalët e mia sot, që të pranojë një zgjidhje ( me dy shtete) që ai vetë po e bojkoton prej 30 vitesh,” deklaroi shefi i politikës së Jashtme të BE-së.
Deklaratat e Borrell vijnë vetëm një ditë pasi Netanyahu kritikoi thirrjet e bëra nga Uashingtoni për të krijuar një shtet palestinez pas luftës dhe për të reduktuar ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza.
“Ne besojmë se duhet të vendoset një zgjidhje me dy shtete nga jashtë për të sjellë paqen,” shtoi diplomati i BE-së.
E ashtuquajtura zgjidhja me dy shtete, e cila do të siguronte shtetësinë për palestinezët, është opsioni më i dëshiruar nga aleatët perëndimorë në Gazën e pasluftës.
(A2 Televizion)