
Sali Berisha ka vijuar edhe sot akuzat për buxhetin 2027,i cili u miratua në parim pas një seance maratonë diskutimesh. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, kreu demokrat dhe tha se shifra prej 10 miliardë eurosh e reklamuar nga qeveria është spekulim, pasi sipas tij, me kursin e këmbimit të vitit 2013, buxheti do të ishte 5.5 miliardë euro.
“Rikthehem tek buxheti i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro. Së pari, kjo përbën një spekulim madhor sepse në rast se kthehemi në kursin e këmbimit të vitit 2013, kemi të bëjmë pas 14 vitesh me një buxhet prej 5.5 miliardë euro nga 4 miliardë që ishte buxheti i fundit i qeverisë së mëparshme. Po të shkojmë në vitin 2015, kemi të bëjmë me një buxhet- me kursin e këmbimit se kjo bazohet tek narkoeuro- kemi të bëjmë me një buxhet prej 6.5 miliardë eurosh. Kjo është e vërteta. Por në rast se merrni shpërndarjen e tij, është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje”, tha Berisha.
Ai akuzoi qeverinë për shpërndarje të padrejtë të fondeve, dhe tha se pensionistëve u janë lënë vetëm 300-350 milionë euro, ndërsa kërkoi dyfishimin e këtij fondi në 700 milionë euro.
“Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 përqind e GDP-së. Iu janë lënë gjithsej 300-350 milionë euro. Nuk ka përqeshje më të madhe për ta. Janë 760 mijë qytetarë. Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300-350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë. Dhe kjo vetëm si hapi i parë. Ku do gjenden? Tek hajdutët”.
Sipas kreut demokrat 930 milionë euro janë parashikuar për shpenzime operative të administratës, udhëtime dhe shpenzime të tjera.
“Janë lënë 930 milionë euro para xhepi, udhëtimesh, shpenzimesh të administratës. Shpenzime operative. Udhëtime dhe fjetje në hotel me 5 yje. Krim, krim i shëmtuar. Këtu janë futur edhe paratë e check-upit, koncesioneve të cilat shkojnë, siç dihet, pasivisht në kontot bankare të Edi Ramës dhe hajdutëve të tij”.
(A2 Televizion)