Me hidhërim e tronditje është pritur lajmi për vdekjen e Papa Franceskut nga besimtarët katolikë në Romë e të gjithë botën. Që prej njoftimit nga Vatikani, qindra njerëz filluan të mblidhen në sheshin Shën Pjetër në Vatikan, ku masat e sigurisë janë shtuar.
Heshtja sundoi mes turmës së madhe të qytetarëve, ndërsa këmbanat binin vazhdimisht.
Emocione të forta pushtuan edhe Argjentinën, vendlindja e Papa Franceskut, ku autoritetet kanë shpallur 7 ditë zie.
Reagime vërshuan nga e gjithë bota, përfshirë njerëzit e thjeshtë e liderë botërore.
Francezi Emanuel Macron ishte mes të parëve që i bëri homazh Kreut të Selisë së Shenjtë, duke e quajtur atë njeri të përulur, në krah të njerëzve më të brishtë e të dobët.
Kryeministrja Georgia Meloni tha se lajmi e kishte hidhëruar thellësisht, teksa shprehu bindjen se trashëgimia e tij nuk do të humbasë.
“Prehu në paqe Papa Francesku. Zoti bekoftë atë dhe të gjithë ata që e deshën“, ishte mesazhi i presidentit amerikan Donald Trump.
Fjalë të ndjera i kushtoi edhe Mbreti Charles i cili me bashkëshorten Kamila ishin ndër të fundit që e vizituan Papën.
Po ashtu presidenti rus tha se do ta mbajë mend Franceskun si mbrojtësin e vlerave më të larta, humanizmin dhe drejtësinë, dhe se do të ruajë gjithmonë kujtimin e bukur të tij.
Presidenti ukrainas Zelenski vlerësoi lutjet e Papës për paqen në Ukrainë dhe ukrainasit. (A2 Televizion)