Meksika është tronditur nga një zbulim makabër në një fermë në shtetin Jalisco, e cila është cilësuar si “Auschwitzi meksikan”. Autoritetet po përpiqen të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në këtë kamp të stërvitjes të përdorur nga karteli i fuqishëm Jalisco New Generation, shkruan A2 CNN.
Pamjet e publikuara tregojnë qindra palë këpucë, çanta, rroba dhe objekte personale të braktisura, si dhe mbetje të djegura kockash, kafka, gishta dhe dhëmbë. Një shënim lamtumire i gjetur aty lexonte: “E dashura ime, nëse një ditë nuk kthehem, vetëm dua që të mbash mend sa shumë të dua”.
Sipas raportimit të “Washington Post”, “shkollën” e zbuloi një grup kërkimor i quajtur “Luftëtarët Kërkues të Jalisco”, që kërkon të zhdukurit mes 120 000 personave të raportuar në Meksikë. Raul Servin Garcia, një anëtar i grupit që kërkon djalin e tij të zhdukur në vitin 2018, tha se skena ishte e tmerrshme: “Nuk mund të përshkruhet ndjenja kur sheh qindra këpucë të grumbulluara. Mendja menjëherë imagjinon më të keqen”.
Sipas hetimeve, karteli mashtronte të rinjtë në stacionin e autobusëve në Guadalajara me premtime për punë. Kur ata kuptonin të vërtetën, nuk kishin më rrugë shpëtimi. Ata që përpiqeshin të largoheshin ose nuk kalonin testet e stërvitjes, ekzekutoheshin. Disa të mbijetuar thanë se ishin detyruar të vrisnin njëri-tjetrin.
Autoritetet kishin hyrë në fermë që në shtator 2023, por nuk kishin zbuluar varret masive. Tani, hetimet federale po shqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit mes kartelit dhe zyrtarëve lokalë. Meksika vazhdon të përballet me dhunën e pakontrolluar të karteleve, ndërsa familjet e të zhdukurve kërkojnë përgjigje dhe drejtësi. (A2 Televizion)