Britania e Madhe po përgatitet për luftë. Tensionet nëpër korridoret diplomatike të Londrës janë vënë re ditët e fundit. Media britanike “The Times” ka publikuar pjesë të një raporti sekret prej 140 faqesh e cila flet për përgatitjen e Britanisë për të luftuar. Britania përballet me një “epokë të re kërcënimesh”, duke përfshirë rreziqet e paraqitura nga armët e reja të shkatërrimit në masë, dhe duhet të rindërtojë ushtrinë e saj për t’u përgatitur për luftë, paralajmërohet në raportin e përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes së Britanisë.
Sir Keir Starmer u zotua ta bëjë Britaninë “të gatshme për betejë”, ndërsa zbuloi rishikimin e shumëpritur strategjik të mbrojtjes, i hartuar për t'iu kundërvënë kërcënimeve nga vende të tilla si Rusia dhe Kina. Ushtria Britanike do të rritet për herë të parë në një brez në të paktën 76,000 ushtarë me kohë të plotë, sipas planeve aktuale, dhe veteranëve mund t'u kërkohet të kryejnë trajnime vjetore për t'u siguruar që janë gati për të luftuar. Ushtria ka 70,800 ushtarë të rregullt, nën objektivin aktual prej 73,000, thuhet në raport, shkruan A2 CNN.
Kryeministri tha se ishte “100 për qind i sigurt” se rekomandimet në dokument do të zbatoheshin, megjithëse supozon se Britania do të shpenzojë 3 për qind të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2034.
Mbretëria e Bashkuar po hyn në një epokë të re kërcënimesh dhe sfidash. Avantazhi ushtarak i Perëndimit, i cili ka kohë që ekziston, po gërryhet, ndërsa vendet e tjera modernizojnë dhe zgjerojnë forcat e tyre të armatosura me shpejtësi, ndërsa prioritetet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara po ndryshojnë.
Pjesë nga raporti
Dekadat e ardhshme do të përcaktohen nga “dilema të shumëfishta dhe të njëkohshme, teknologji në rritje dhe përçarëse, si dhe nga dobësimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që më parë kanë ndihmuar në parandalimin e konfliktit midis fuqive bërthamore”, thekson raporti.
Me anë të një vendimi Qeveria britanike pranoi 62 rekomandimet e raportit. Ato përfshijnë: Një rritje të madhësisë së ushtrisë së rregullt, një rritje prej 20 për qind të numrit të rezervistëve, një mënyrë e re luftimi në të cilën do të investohen miliarda në dronë, armë kibernetike dhe inteligjencë artificiale për t'i bërë forcat britanike më vdekjeprurëse; një investim prej 15 miliardë paundësh për kokat bërthamore dhe plane për 12 nëndetëse. (A2 Televizion)