Partia PVV e udhëheqësit të ekstremit të djathtë holandez, Geert Wilders, u largua nga koalicioni qeverisës të martën, në një lëvizje që pritet të rrëzojë qeverinë e krahut të djathtë dhe ka të ngjarë të çojë në zgjedhje të reja. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Wilders tha se partnerët e tij të koalicionit nuk ishin të gatshëm të mbështesnin idetë e tij për ndalimin e migracionit dhe azilit.
"Asnjë nënshkrim nën planet tona të azilit. Partia për Lirin largohet nga koalicioni," tha Wilders në një postim në X.
Wilders tha se e kishte informuar kryeministrin Dick Schoof se të gjithë ministrat nga partia e tij PVV do të largoheshin nga qeveria. Schoof ende nuk ka reaguar ndaj dorëheqjes. Lëvizja surprizë e Wilders i jep fund një koalicioni tashmë të brishtë i cili ka luftuar për të arritur ndonjë konsensus që nga krijimi i tij korrikun e kaluar.
Me shumë gjasa do të sjellë zgjedhje të reja brenda pak muajsh, duke shtuar pasigurinë politike në ekonominë e pestë më të madhe të eurozonës. Ka të ngjarë që kjo të vonojë gjithashtu një vendim mbi një rritje ndoshta historike të shpenzimeve të mbrojtjes për të përmbushur objektivat e reja të NATO-s, shkruan A2 CNN. Dhe do ta lërë Holandën vetëm me një qeveri të përkohshme kur të presë udhëheqësit e vendeve të NATO-s në një samit për të vendosur mbi këto objektiva në Hagë më vonë këtë muaj.
Wilders fitoi zgjedhjet e fundit në Holandë, por sondazhet e fundit tregojnë se ai ka humbur mbështetjen që kur iu bashkua qeverisë. Sondazhet tani e vendosin partinë e tij në rreth 20% të votave, afërsisht në të njëjtin nivel me kombinimin Laburist/Të Gjelbër që aktualisht është i dyti më i madh në parlament. Javën e kaluar Wilders kërkoi mbështetje të menjëhershme për propozimet e tij për të ndaluar plotësisht migrimin e azilit, për të dërguar refugjatët sirianë përsëri në vendin e tyre dhe për të mbyllur strehimoret e azilit. (A2 Televizion)