Aktivistët e Greenpeace hoqën një statujë dylli të presidentit francez Emmanuel Macron nga Muzeu Grevin në Paris të hënën dhe e vendosën atë përpara ambasadës ruse në shenjë proteste kundër lidhjeve të biznesit francez me Rusinë dhe mungesës së veprimeve më të forta klimatike.
Në deklaratën e saj që njoftonte heqjen e statujës, Greenpeace tha se Macron "nuk meriton të ekspozohet në këtë institucion kulturor me famë botërore, derisa të ketë ndërprerë kontratat franceze me Rusinë dhe të ketë nxitur një tranzicion ambicioz dhe të qëndrueshëm ekologjik në të gjithë Evropën", shkruan A2 CNN.
Sipas mediave franceze dy gra dhe një burrë hynë në Muzeun Grevin duke u paraqitur si turistë dhe, sapo hynë brenda, ndërruan rrobat duke u veshur si punëtorë.
Aktivistët dolën fshehurazi përmes një daljeje emergjence me statujën prej 40,000 eurosh, të cilën e kishin mbuluar me një batanije.
Franca ka qenë një nga mbështetëset më të zëshme të Kievit që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.
Macron ka marrë drejtimin në përpjekje për të krijuar një përgjigje të koordinuar evropiane për mbrojtjen e Ukrainës, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tronditi botën duke negociuar drejtpërdrejt me Rusinë. (A2 Televizion)