
Temperaturat globale të sipërfaqes së detit kanë arritur nivele rekord gjatë qershorit, duke tejkaluar vlerat e regjistruara në vitet 2023 dhe 2024 për të njëjtën periudhë. Këtë e konfirmojnë Shërbimi i Ndryshimit të Klimës Copernicus (C3S) dhe Shërbimi Detar Copernicus, të cilët e cilësojnë këtë si "ngrohjen më të madhe të oqeanit të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit".
Sipas Copernicus, më 21 qershor temperatura mesatare globale e sipërfaqes së detit arriti në 20.86°C, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 20.83°C të shënuar në vitet 2023 dhe 2024. Ndërkohë, të dhënat e Shërbimit Detar Copernicus regjistruan 21.0°C, rreth 0.1°C më shumë se rekordet e mëparshme.
Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me kombinimin e ndryshimeve klimatike dhe fillimin e një episodi të ri El Niño në Paqësorin ekuatorial. Sipas parashikimeve sezonale, fenomeni mund të arrijë një intensitet të paprecedentë në dekada.
Copernicus paralajmëron se ngrohja rekord e oqeaneve pritet të ketë pasoja të rëndësishme për modelet e motit, klimën globale dhe ekosistemet detare. Temperaturat më të larta të ujërave mbajnë atmosferën më të ngrohtë për periudha më të gjata, furnizojnë stuhitë me më shumë energji dhe rrisin avullimin, duke shtuar rrezikun për reshje ekstreme dhe përmbytje.
Gjithashtu, ngrohja e oqeaneve përshpejton rritjen e nivelit të detit dhe shkrirjen e akullnajave, ndërsa favorizon valë të nxehta detare më të shpeshta dhe më intensive, të cilat dëmtojnë ekosistemet, peshkimin dhe ekonomitë bregdetare.
Drejtori i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Copernicus, Carlo Buontempo, theksoi se kushtet aktuale mund të sinjalizojnë hyrjen në "territor të panjohur", duke paralajmëruar se, me temperaturat e oqeanit në nivele kaq të larta dhe me zhvillimin e El Niño, muajt në vijim mund të sjellin rekorde të reja të temperaturave globale. (A2 Televizion)