Debati historik në CNN, Biden humbi nga bllokimi i gojës, Trump fitoi me gënjeshtra

Nga Xhevahir Qardaku
28 Qershor 2024, 10:44 | Bota

Në debatin historik për presidencialet amerikane hynë pa e përshëndetur apo dhënë dorën njëri-tjetrit. Joe Biden dhe Donald Trump u përballën ashpër në arenën e CNN në Atlanta për 1 orë e gjysmë për tema të ndryshme nga ekonomia, politika e jashtme, aborti dhe gjendja fizike e mendore e secilit kandidat.

Një sondazh i CNN nxori Trump fitues me 67 për qind të spektatorëve që vlerësuan se republikani performoi më mirë. Kjo për faktin se presidenti aktual, Joe Biden, ngeci disa herë në artikulimin e argumenteve të tij.

“Ideja se ata do të… unë nuk… ia kam propozuar atë të gjithëve… ata paguajnë… milionerët paguajnë vetëm 1 për qind. Kështu që askush… Unë nuk do të rris koston e sigurimeve shoqërore për askënd që fiton më pak se 400 mijë dollarë”, tha presidenti Biden.

Por të dy kandidatët tentuan që ta bënin njëri-tjetrin të duket i papërshtatshëm për rolin e presidentit.

“Vërtetë nuk e di se çfarë tha. Nuk mendoj se ai e di dhe vetë se çfarë ka thënë”, ironizoi Trump.

Ndër kreu i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj: “Për çfarë je duke folur? Ti ke moralin e një maceje rruge”.

Debati ishte shpesh i ndezur.

“Personi i vetëm në këtë skenë që është një kriminel i dënuar është ky burri që kam përballë”, tha Biden.

Ata vunë në pah se çfarë është në rrezik në nëntor, duke prekur një sërë temash, përfshirë emigracionin.

“Kur ishte president po ndante fëmijët nga nënat e tyre duke i vendosur në kafaze. Kjo nuk është mënyra se si trajtohen njerëzit”, deklaroi Biden.

“Ne kishim kufirin më të sigurt në histori. Tani kemi kufirin më të rrezikshëm në histori. Nuk kam parrë kurrë diçka të atillë, njerëzit po vdesin gjithandej kufirit”, u përgjigj Trump.

Përplasje të fortë me akuza prodhoi dhe pyetja e CNN për politikën e jashtme. Donald Trump e quajti Biden një palestinez në tentativë për ta ofenduar, ndërsa e fajësoi për nisjen e luftës Izrael-Hamas dhe Rusi-Ukrainë. Por kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë reagoi duke thënë se po mbron Izraelin dhe botën demokratike nga Putini. 

“Ne jemi shumë afër Luftës së Tretë Botërore dhe ai po na çon ne atje. Kim Jong Un dhe presidenti kinez, bashkë me Putinin, të gjithë këta nuk e respektojnë atë. Nuk e kanë frikë”, paralajmëroi Trump.

“E dëshironi ju Luftën e Tretë Botërore? Lejoni që ai të vijë në pushtet dhe do të ndodhë”, tha Biden.

Lidhur me të drejtën e abortit, presidenti Biden akuzoi Trump se ka bërë diçka të tmerrshme me heqjen e kësaj të drejte në nivel kombëtar. Republikani u pyet 3 herë nëse do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të këtij nëntori, duke sinjalizuar se mund të përsërisë trazirat e 6 janarit, ku tentoi përmbysjen e humbjes me dhunë.

Nga ana tjetër Biden tha se Trump është një humbës i trashë. Ndërsa sulmet personale, demokrati e sulmoi 78-vjeçarin duke thënë se e ka tradhtuar gruan me një pornostare.

Kurse Trump i kërkoi që të bënte testin e inteligjencës për të parë nëse mundet të drejtojë Shtëpinë e Bardhë. Pavarësisht fitores, CNN vlerëson në bazë të kontrollimit të fakteve, se shumica e argumenteve të republikanit janë bazuar në të dhëna dhe deklarata false. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos