Del “Sekreti i bukur”, libri i datëlindjes së 50 të Epstein, zbulohet letra e Trump

Nga Xhevahir Qardaku
9 Shtator 2025, 10:04 | Bota

“Libri i datëlindjes” së Jeffrey Epstein është publikuar nga ligjvënësit amerikanë. Në të përfshihet edhe një letër urimi që supozohet të jetë dërguar nga presidenti Donald Trump në vitin 2003, për 50 vjetorin e ish financierit të dënuar për krime seksuale.

Libri është publikuar bashkë me dhjetëra dokumente që përfshijnë dhe testamentin e Epstein dhe numëratorin e tij personal, me kontakte që përfshijnë njerëz të njohur, modele dhe politikanë nga e gjithë bota.

Avokatët e Epstein u detyruan që t’i dërgonin këto dokumente në Komisionin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve muajin e kaluar pas një urdhri të lëshuar. Shtëpia e Bardhë mohon që Donald Trump të jetë autor i letrës së publikuar, në të cilën përfshihej edhe vizatimi i trupit të një gruaje, duke pretenduar se ajo nuk është autentike dhe se presidenti “nuk e bëri atë vizatim dhe nuk e ka firmosur atë letër”.

Ligjvënësit demokratë publikuan një imazh të letrës në rrjetin social X, përpara publikimit të librit dhe dokumenteve të tjera. Në kartën që mban firmën e Trump, janë të shkruara disa rreshta me fjalinë e fundit që thotë: Gëzuar Ditëlindjen, uroj që çdo ditë të jetë një tjetër sekret i bukur”.

Robert Garcia, një zyrtar i lartë demokrat, pjesë e panelit të Komisionit Mbikëqyrës të drejtuar nga Republikanët, shton presionin ndaj presidentit duke e quajtur atë gënjeshtar pasi pretendoi se letra e urimit nuk ekziston.

“Tani e dimë që Donald Trump ka gënjyer dhe po bën gjithçka për të mbuluar të vërtetën”, nënvizoi ai duke kërkuara publikimin e të gjitha dokumenteve të Epstein.

Libri me 238 faqe ishte krijuar për datëlindjen e 50-të të Jeffrey Epstein nga ish e dashura e tij Ghislaine Maxwell, e cila është dënuar në vitin 2021 për bashkëpunim me të në trafikimin e vajzave dhe shfrytëzimin seksual të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos