
Këto fotografi nga Bejruti, kryeqyteti i Libanit, tregojnë shkallën e dëmeve të shkaktuara nga sulmet izraelite gjatë orëve të natës. Ministria e shëndetësisë thotë se të paktën gjashtë persona u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve.
Një banor rrëfen për BBC: “U zgjuam rreth orës 05:00 të mëngjesit nga zhurma e shpërthimit. Këtu nuk është e ashtuquajtura zemra e Hezbollahut në Bejrutin jugor. Këtu është qendra e qytetit, e rrethuar nga biznese dhe hotele”.

Sikurse mund të shihet nga fotot një prej ndërtesave është kthyer në një pirg rrënojash. Izraeli thotë se po shënjestron jo vetëm luftëtarët dhe udhëheqësit e Hezbollahut, por edhe bizneset që pretendon se janë të lidhura me grupin dhe ndihmojnë në financimin e operacioneve të tij ushtarake.

Libani u përfshi në këtë konflikt disa javë më parë kur Hezbollahu, një grup politik dhe ushtarak libanez mysliman shiit, lëshoi raketa dhe dronë në Izrael në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit dhe sulmet e përsëritura izraelite. (A2 Televizion)